Moti I keq që ka pushtuar vendin ka bërë që qarkullimi rrugor të jetë i vështirë në disa akse kryesore të vendit.

 

Në një njoftim për medait, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë me dije se duhet të tregohet kujdes nga ana e drejtuesve të mjeteve në disa akse të ndryshme pasi trashësia e borës po rritet dhe temperaturat e ulta po rrisin nivelin e akullit në rrugë.

 

Sipas ARRSH në Rajonin Verior Shkodër: Gjate ditës së sotme nuk ka pasur reshje dëbore moti ka qenë me diell, por temperaturat kanë qenë të ulëta.

 

Kontraktorët kanë punuar gjatë gjithë ditës dhe janë duke punuar aktualisht, duke trajtuar me kripë, sidomos rrugët me prezencë akulli, për të siguruar kalimin pa zinxhir edhe në orët e vona të natës, si në Bulqizë-Peshkopi dhe Pukë-Fushë Arrëz-Kukës.

 

Të gjitha rrugët janë të kalueshme pa zinxhir, duke veçuar rrugën Ura e Çerenecit-Steblevë, ku lëvizja e automjeteve rekomandohet me zinxhir.

 

Në aksin Qafë Mali-Fierzë, Shkodër-Hani i Hotit dhe Hani i Hotit-Tamarë vazhdon puna për pastrimin e aksit dhe shpërndarjen e kripës. Qarkullimi kryhet normalisht.

 

Në Rajonin Qendror Tiranë: Rrugët e Dajtit dhe rruga Elbasan-Gjinar janë trajtuar gjate ditës me kripë dhe janë pastruar nga akulli, janë të kalueshme pa zinxhir. Në Lunik-Steblevë rekomandohet kalimi me zinxhir.

 

Në Rajonin Jugor Gjirokastër: Gjatë ditës nuk ka pasur reshje dëbore, por temperatura të ulëta. Kontraktorët e mirëmbajtjes kanë punuar gjatë gjithë ditës dhe janë ende duke punuar për pastrimin e akseve dhe trajtimin e tyre me kripë.

 

Në aksin Vlorë-Llogara-Himarë-Sarandë-Vrisera, është bërë trajtimi me kripë, sidomos në zonat problematike si: Qafa e Llogarasë, Qafa e Vishës, Qafe Muzina, si dhe në disa zona në Vuno dhe Jalë.

 

Në aksin Levan-Tepelenë-Gjirokastër po trajtohet me kripë zona problematike “Uji i Ftohtë Tepelenë”.

 

Në aksin rrugor Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë-Pogradec-Korçë-Bilisht-Kapshtice janë trajtuar me kripë zonat problematike, sidomos Qafa e Thanës rruga ka qenë dhe është e kalueshme pa zinxhir.

 

Në rrugët: Korçë-Voskopojë, Korçë-Qafë Qarri-Ersekë, Liqenas-Doganë-Goricë janë të kalueshme pa zinxhir.

 

Në pjesën fundore të segmentit Erind-Cajup, si dhe në segmentin Sevaster-Kalivac qarkullohet me zinxhir.

 

Në segmentin Ura e Leklit-Përmet është punuar për shpërndarjen e kripës në vendet ku ka ngrica. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me kujdes dhe të përdoren gomat e dimrit.

 

ARRSH u rekomandon përdoruesve të rrugës të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore. Të vendosin zinxhir në akset e mësipërme, të respektojnë udhëzimet e Policisë së Qarkullimit Rrugor, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *