Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar hedhjen e shortit për renditjen e kandidatëve për kryetar bashkie në disa zona të vendit. Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi sqaroi se ky vendim u mor pas kërkesës së një subjekti për të hedhur fillimisht shortin për partitë politike dhe më pas kandidatët për kryetarë bashkie.

 

Në të njëjtën kohë, Celibashi deklaroi se shkak është dhe ankimi për tre kandidatura për zgjedhjet vendore të 14 majit.

 

“Në seancën e sotme kemi zhvillimin e procedurave për hedhjen e shortit për renditjen e disa kandidatëve për kryetarë bashkie në disa bashki, por do ta shtyjmë sepse kemi marrë një kërkesë nga një subjekt zgjedhor, i cili kërkon që të bëhet hedhja e shortit, paraprakisht, për subjektet zgjedhore dhe pastaj për kandidatët për kryetarë bashkie. Edhe për këta të fundit, të bëhet për të gjithë në të njëjtën kohë. Meqënëse për 3 kandidatë jemi akoma në procedurë shqyrtimi të ankimeve, do duhet të presim përfundimin ne shqyrtimit të ankimeve në KAS dhe në Kolegjin Zgjedhor”, deklaroi ai.

 

 

Këtë të hënë ishte parashikuar që të hidhej shorti për 11 bashki, atë të Tiranës, Kamzës, Lushnjës, Durrësit, Elbasanit, Beratit, Fierit, Vlorës, Korçës, Lezhës dhe Shkodrës.

 

Nga ana tjetër, PS ka vendosur që një pjesë nga paratë e fushatës zgjedhore t’i përdorë për mbjelljen e pemëve. Lidhur me këtë, Celibashi deklaroi se rëndësi ka që partitë politike kanë marrë fondin e nevojshëm dhe shpenzimi i tyre do të gjykohet kur të paraqitet raporti financiar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *