Instilacioni “Reja” e artistit japonez Sou Fujimoto ka nisur që tanimë t’i japë një tjetër pamje kryeqytetit. Edhe pak punë ka mbetur deri në instalimin e plotë të kësaj vepre që për 5 vite ka qëndruar pranë Galerisë Serpentine në Londër. Kjo hapësirë që nuk të ofron vetëm dëshirën për ta kundruar së jashtmi si një re në tokë, do të kthehet për kryeqytetin edhe si një hapësirë ku do të marrin jete evente kulturore apo një pikëtakimi për të rinjtë. Për Artan Shabanin, kjo vepër nuk e sfumon rolin e Galerisë, madje është një instilacion që do t’i afrojë më shumë njerëzit me artin. E megjithatë polemikat e para për këtë instilacion erdhën me përcaktimin e vendit ku “Reja” do të instalohej. Parë, në këtë këndvështrim për Shabanin, çdo vend ka nevojë për art, e sidomos në një vend ku për ndërtimet duhet të kishim ulëritur prej kohësh. Në pritje të rikonstruksionit të fasadës së Galerisë, duket se “Reja” do të jetë një aksesor i çmuar për këtë institucion. Por vetëm për 2 vjet, pasi instilacioni do të vazhdojë rrugëtimin e tij edhe në kryeqytete të tjera pas Londrës e Tiranës.