Prej datës 11 janar e deri më sot, rreth 12 mijë emigrantë nga diaspora janë regjistruar në platformën elektronike të vënë në dispozicion nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve për votimet e 11-majit.
Statistika e pasqyruar në faqen zyrtare të KQZ shihet me optimizëm nga këshilli kordinues i diasporës.
“Nëse vazhdon më këtë ritëm ne mund të arrijmë deri në fund të procesit në një shifër 200-300 mijë. Por duhet parë edhe se si do të eci procedura për rinovimin e kartave të identitetit si dhe forca e organizative për t’i bindur”, tha Anila Hyka, nga Këshilli Kordinues i Diasporës.
Në një intervistë për Vizion Plus anëtarja e këshillit koordinues të diasporës Anila Hyka thotë se diaspora kërkon figura të reja në garë
“Kërkojnë që të kenë figura të diasporës që të binden për të votuar në 2025. Se pyetja që na bëjnë shpesh është për kë do të votojmë, s’janë të bindur”, tha Hyka.
Hyka tha se në Francë ku ajo jeton deri më tani janë regjistruar afro 400 aplikantë, ndërsa shprehet dakord me KQZ-në se diasporës i nevojitet më tepër kohë për dërgimin e votës. Hyka bëri thirrje që qeveria të shtyjë afatin e rinovimit të kartave të ID.
“Pjesa tjetër pret të analizoj prezantimin e forcave politike, cilët janë kandidatët dhe çfarë programesh politike do të kenë pasi shqiptarët e mirëintegruar në rajon e shohin shumë programin dhe pritshmëri e një partie politike”, tha Hyka.
Procesi i regjistrimit do të zgjasë deri në fillim të muajit mars, ndërsa në aplikacion vihet re se në 12 mijë të regjistruar, afro 8400 janë meshkuj dhe 3600 femra. Grupmosha me përqindjen më të lartë në aplikacion varion nga 26 deri më 35 vjeç, ndërsa janë refuzuar 270 aplikime./vizionplus.tv





