Subscribe

Takimi i mesjavës mes kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta, është shndërruar tashmë në rutinë. Por ky i kësaj të mërkure mbarte një rëndësi të veçantë, pasi vjen në një moment kyç të reformës në drejtësi. E për ecurinë e saj dy politikanët e lartë kanë diskutuar për rreth një orë në zyrën e kreut të Kuvendit.
Një ditë me pare kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi, i dërgoi një letër Ilir Metës, ku i kërkoi futjen sa më parë në kalendar të 7 projektligjeve, te cilat do të reflektojnë ndryshimet kushtetuese që kërkon reforma në drejtësi. Ruçi kërkoi që ditën e enjte, konferenca e kryetarëve të fusë për shqyrtim projektligjin për ndryshimet kushtetuese së bashku 7 draft ligjet që e shoqërojnë atë, në mënyrë që të kalojnë në seancë plenarë gjatë korrikut.
Por, kryetari i Parlamentit duket se kërkon të qartësojë procedurat parlamentare, pavarësisht kërkesës zyrtare, në të cilën tregohet rruga që sipas PS duhet ndiqet. Në mesditë, nga Kuvendi, zyrtarisht është njoftuar për një mbledhje të Këshillit për Rregulloren, mandatet dhe Imunitetin, pasditen e së mërkurës. Mbledhje kjo e kërkuar nga kryetari Meta, ku do të interpretohet Rregullorja e Kuvendit, nëse ndryshimet kushtetuese do të diskutohen në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve, apo quhen të ezauruara nga Komisioni i posaçëm i reformës në drejtësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *