Një ditë pasi qeveria e Maqedonisë së Veriut ngriti ekipin për negociatat me Bashkimin Europian, opozita në Shkup po mbledh firmat për referendum kundër marrëveshjes me Bullgarinë, e cila çoi në zhbllokimin e vetos së Sofjes për konferencën e parë ndërqeveritare.

 

Kryetar i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski tha se partia e tij nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese, jo se janë kundër që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës, por se marrëveshja është asimiluese dhe duhet të braktiset.

 

HRISTIJAN MICKOSKI

KRYETAR I VMRO-DPMNE

 

Komiteti Ekzekutiv mori vendim për një iniciativë qytetare për mbledhjen e firmave për shpalljen e referendumit. Pres që Kuvendi të legjitimojë dhe miratojë iniciativën në një periudhë të shkurtër kohore, pas së cilës do të fillojnë afatet për mbledhjen e 150 mijë firmave për thirrjen e referendumit të detyrueshëm.

 

VMRO-DPMNE shpalli edhe pyetjen e referendumit e cila u kërkon qytetarëve të shprehen nëse janë pro apo kundër heqjes së ligjit për ratifikimin e marrëveshjes me Bullgarinë.

 

Kreu i opozitës shtoi se nëse nisma do të ketë sukses duhet të braktiset marrëveshja me Bullgarinë dhe të negociohet një marrëveshje e re. Referendumi pritet të mbahet në pranverë dhe që ai të jetë i suksesshëm duhen 910 mijë vota pro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *