Me rishikimin e çmimeve të referencës për të gjitha bashkitë e tjera përveç Tiranës, pritet të rritet edhe detyrimi që qytetarët kanë për të paguar për taksën e ndërtesës.
Sipas formulës, kjo taksë llogaritet sa 0.05% e vlerës së apartamentit. Duke qenë se me referencat e propozuara, vlera e apartamentit për zona të ndryshme pëson rritje të ndryshme, do të shtohet edhe detyrimi për taksën.
“Çmimet e referencës që do të rriten, sidomos në bregdet, do të rrisin edhe taksën e pronës së dytë, të tretë. Nëse sot një apartament kushton 100 mijë euro dhe me referencat shkon në 200 mijë euro, automatikisht dyfishohet taksa e pronës së parë. Por kur shkojmë te prona e dytë e tretë, që do të bëhet 2-4 herë më e lartë, do të shikojmë efektin që njerëzit që mbajnë bosh pronat në Tiranë dhe në bregdet do t’i nxjerrin në treg sepse do të kenë peshë fiskale.”, shprehet eksperti i tregut imobiliar, Armand Shkëmbi.
Për agjentët imobiliarë, çmimet e referencave duhet të rishikohen herë pas here për t’i përafruar ato me realitetin e tregut dhe për të shmangur abuzimet.
“Referenca është një mbrojtje e madhe për blerësin. Kemi pasur një destabilizim të tregut lidhur me referencat, nga Tropoja në Sarandë, sepse nëse një metër katror në zonat e preferuara të jugut është 1.800 euro dhe shitja bëhet deri në 4 mijë euro, kjo do të thotë se lihet vend për abuzim. Nëse i drejtohemi kontratës dhe nuk ka një barazi në lidhje me atë që quhet referencë, ne jemi të rrezikuar. Duke pasur referencë, klienti është i mbrojtur. Kemi të bëjmë me legjitimimin e pronës juridikisht dhe të vlerësuar financiarisht”, tha eksperti i tregut imobiliar Gjin Gjoka.
“Industria imobiliare ka kërkuar që rivlerësimi dhe çmimet e referencës të jenë në mënyrë periodike, sepse ky treg ka një dinamikë. Nëse ne do të ecim me çmimet e vjetra të referencës, kjo do ta rrisë shumë hendekun. Është një nismë pozitive, por do të duhej të ishte bërë më shpejt. Dinamika e tregut ndryshon çdo 2 vite. Në bregdet kemi ndryshim drastik të çmimeve nga para disa vitesh dhe sot”, tha Orgest Beti, eksperti i tregut imobiliar.
Veçanërisht në bregdet, sipas tyre, çmimet e apartamenteve janë rritur në vitet e fundit për shkak edhe të kërkesës së lartë të shqiptarëve dhe të huajve për të blerë. Kjo rritje çmimesh, parashikojnë ekspertët, nuk do të ndalet.
“Ne kemi lëvizje çmimesh çdo muaj, gjithmonë jemi në rritje. Unë them se në 2033 bregdeti do të shkojë deri në 10 mijë euro. Para 2 vitesh kishim shitje në Dhërmi, Jalë, Himarë, Qeparo, Borsh, Ksamil me 1.800-2.400 euro. Sot jemi në nivelet 3.000-3.500 euro, në Dhërmi e Jalë kemi edhe 4.400-4.800 euro metri katror”, shtoi Gjoka.
“Kjo nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit. Shqipëria shumë shpejt do të bëhet pjesë e BE dhe parashikohet një rritje tjetër me 20-30%. Bregdeti shqiptar, së fundmi nga Gjiri i Lalëzit deri në Ksamil, ka marrë një vëmendje të madhe dhe e bën qendër të investimeve”, Beti.
Javën e shkuar, profesionistët e lirë i dërguan një letër ministrit Petrit Malaj, duke shprehur shqetësim se referencat e propozuara rrezikojnë të deformojnë tregun. Ata kërkuan edhe që banesa e parë të përjashtohet nga taksa e ndërtesës.
/vizionplus.tv





