Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, ka thënë se Ballkani Perëndimor ka pasur vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për dekada dhe këto të fundit do të vazhdojnë investimet derisa të arrihet qëllimi i një strukture të plotë transatlantike.

“Strategjia jonë e sigurisë kombëtare përfshin interesin tonë për ta bërë Evropën të fortë dhe të lirë. Dhe sa më i fortë të jetë Ballkani Perëndimor, aq më e fortë është Evropa dhe partneriteti ynë transatlantik “, ka thënë Reeker gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin 2BS, të organizuar nga Aleanca Atlantike e Malit të Zi.

Si shembull të suksesshëm të udhëheqësisë amerikane në këtë rajon, Reeker ka përmendur marrëveshjen e 4 shtatorit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në Uashington.

“Kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën, status quo-ja është e paqëndrueshme,” ka thënë zyrtari amerikan.

Sa u përket vendeve tjera të rajonit, Reeker ka thënë se zgjedhjet e fundit në Mal të Zi përbëjnë ndryshim të rëndësishëm politik.

“Ne vlerësojmë angazhimin e kryeministrit Zdravko Krivokapic për vlerat e përbashkëta euro-atlantike, qëllimin e tij për të qëndruar në atë kurs si anëtar i NATO-s dhe për të ndërmarrë reformat e nevojshme në Malin e Zi si vend që aspiron për në Bashkimin Evropian”, ka thënë mes tjerash ai.

Lidhur me bllokimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nga ana e Bullgarisë për shkak të gjuhës, Reeker ka vlerësuar se Maqedonia Veriore dhe Shqipëria kanë marrë hapa të rëndësishëm dhe të vështirë në rrugën drejt integrimit evropian.

“Është zhgënjyese të shohësh vonesa në disa hapa burokratikë që përsëri vendosin në pikëpyetje negociatat e pranimit dhe nxisin çështjen e besueshmërisë së BE në rajon,” ka thënë ai.

Si penguese të proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Reeker ka përmendur Rusinë dhe Kinën.

“Rusia po përpiqet të mbjellë kaos politik dhe të përfitojë prej tij, Kina po përpiqet të blejë besnikërinë e rajonit përmes investimeve strategjike, të ngarkuara me hua që do të jenë një barrë për brezat e ardhshëm”, ka thënë zyrtari amerikan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *