Subscribe

Nismës së Bashkisë së Tiranës për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike i janë bashkuar edhe 7 rrjete supermarketesh të tjera, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në kryeqytet. Ato nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit me Bashkinë e Tiranës, duke u angazhuar të marrin masat për të ulur deri në ndalimin e plotë të përdorimit të qeseve plastike në pikat e tyre të shitjes.

 

Marrëveshja e firmosur të enjten nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe drejtuesit e 7 supermarketeve, parashikon që qeset plastike të shiten me një vlerë simbolike me qëllim dekurajimin e përdorimit të tyre, duke qenë se qeset janë edhe ndotëset më të mëdha të mjedisit.

 

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi gatishmërinë e treguar nga këto kompani për të kontribuar në një qytet më të pastër, duke përdorur sa më pak material të dëmshëm për mjedisin.

 

Ai theksoi se përmes kësaj nisme, jo vetëm që ruhet ambienti nga ndotja, por edhe kultivohet një qytetari e mirë. Në javën e parë të zbatimit të nismës, tha kryebashkiaku, u reduktua ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike nga qytetarët.

 

Prej një jave, në disa nga supermarketet që nënshkruan të parat marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës, nisma për reduktimin e qeseve po zbatohet me sukses, ku qytetarët të dekurajuar nga pagesa prej 3 dhe 5 lekësh kanë nisur të përdorin trastat e rrobës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *