Kristiano Ronaldo ka konfirmuar se është një nga yjet më të shndritshëm të historisë së Ligës së Kampioneve. Tregolëshi i realizuar sot ndaj Atletiko Madrid vendosi gjysmëfinalen e parë të turneut dhe duket se i ka prerë biletën “los blancos” drejt finales së madhe në Kardif, duke regjistruar rekord pas rekordi.

 

Ndeshja filloi menjëherë në sulm për Realin me Karvahal e Benzema që vunë në provë reflekset e Oblak në minutën e 7 të ndeshjes. Vetëm 3 minuta më vonë erdhi goli i avantazhit 1-0, me të zakonshmin Ronaldo i cili shfrytëzoi një harkim të Kasemiro drejt qendrës për të shtyrë sferën në rrjetë me kokë.

 

Pak minuta më vonë, Varane iu afrua shumë golit të dytë duke detyruar Oblak të bënte një mrekulli për të devijuar sferën jashtë kuadratit. Ndërsa në minutën e 18 erdhi edhe kundërpërgjigja e Atletikos me Gameiron, i cili hyri në zonë dhe po përgatitej të gjuante, por Navas me një dalje perfektë i hoqi sulmuesit topin nga këmbët në momentin e fundit.

 

Një gjuajtje diagonale e Modriç që përfundoi jashtë ngjitur me shtyllën dhe një goditje akrobatike e Benzema kthyen vëmendjen përsëri nga katërkëndori i Oblak, i cili ishte me fat që dy gjuajtjet nuk përfunduan në rrjetë.

 

Tentativa e radhës e Atletikos ishte në skemë në goditje dënimi por Godin nuk gjeti kuadratin me devijimin e tij në rrëshqitje. Atletiko mbeti në sulm deri në fundin e pjesës së parë të ndeshjes, duke provuar me depërtime apo me goditje nga këndi që të dërgonte topin në rrjetë, por pa shumë sukses.

 

Fraksioni i dytë i lojës ishte me një ritëm më të ulët, pasi të dy skuadrat lejonin më pak hapësira për sulmuesit kundërshtarë. Edhe seria e ndërrimeve të njëpasnjëshme uli vazhdimisht ritmin e sfidës, duke bërë që të prodhoheshin më pak raste për t’u shënuar.

 

Por në minutën e 73-të, u zgjua përsëri “makineria e golave” me emrin Kristiano Ronaldo. Portugezi realizoi me një gjuajtje të shkëlqyer në hyrje të zonës së rreptësisë duke dërguar topin pas krahëve të Oblak. Reagimi i Atletikos ishte shumë i dobët dhe Reali mbyti ndeshjen e ndoshta edhe të gjithë kualifikuesen me anë të portugezit kur mbeteshin pak minuta nga fundi.

 

Ai përfitoi nga një shpërthim i Lukas Vazkez në krahun e djathtë për të kontrolluar qetësisht në zonë dhe për të shtyrë topin në sferë për herë të tretë.

 

Ky ishte goli i 103 në Ligën e Kampioneve për Ronaldon, i 52 në fazën me eliminim direkt të turneut, që do të thotë se ka realizuar më shumë sesa në fazën në grupe, duke u konfirmuar si një nga lojtarët më vendimtarë që ka parë ky aktivitet.

 

Fitorja 3-0 e Realit lë pak alternativa për Altetikon, që nuk dukej në gjendje të rivalizonte si e barabartë me kundërshtarët historikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *