Reali i Madridit siguroi për herë të tretë radhazi finalen e UEFA Champions League, pasi ia doli të eliminojë Bayernin në një sfidë spektakolare të luajtur në Bernabeo.

 

Barazimi 2 me 2 i mjaftoi madrilenëve për të qëndruar në garë për trofeun e 13 kontinental duke qenë se kishin fituar ndeshjen e parë në Mynih. Gjermanët gjithsesi dalin me kokën lart pasi zhvilluan dy ndeshje shumë të mira ku defekti i vetëm ishte moskonkretizimi i rasteve të shumta për shënim. Ndërkohë që nuk kanë munguar edhe një herë tjetër polemikat e bavarezëve ndaj gjyqtarit të ndeshjes.

 

Supersfida nisi menjëherë me një gol të shënuar nga kimish që në minutën e tretë, por festa e gjermanëve nuk zgjati shumë pasi Benzema realizoi golin e barazimit me kokë në minutën e 11.

 

Miqtë luajtën mirë dhe krijuan të tjera raste për shënim, por Muller, Levandovski dhe James Rodriguez nuk arritën dot të shfrytëzojnë rastet e krijuara. Në fund të pjesës së parë bavarezët pretenduan për një 11metërsh pas një prekjeje të topit me dorë në zonë nga Marcelo.

 

Pjesa e dytë nisi në mënyrë katastrofike për Bayernin, pasi portieri Ulreich bëri një gafë të rëndë që i dha mundësinë Benzemasë të shënojë sërish. Portieri i Realit nga ana tjetër ishte vendimtar pas një gjuajtje të Alabës, ndërsa Ronaldo humbi një shans të artë për ti çuar shifrat në 3 me 1.

 

Ndeshja u ndez në minutën e 63, kur Jamez Rodriguez, barazoi rezultatin. Gjermanët bënë maksimumin për të tentuar golin e kualifikimit, por Navas ishte i pakalueshëm në rastet e Tolisso dhe Muller.

 

Reali tashmë pret të njohë rivalin e finales që do të dalë nga çifti “Roma-Liverpul”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *