Derbi i Madridit do të hapë zyrtarisht edicionin e ri të dueleve të mëdha të futbollit të klubeve ne Europe.

Reali dhe Atletico do të përplasin brirët në superkupën e Europës, sonte në mbrëmje ne orën 21:00.

Dueli i madh që do të luhet në Talin të Estonisë, do të përcillet ekskluzivisht në ekranin e Vizion Plus.

Reali i Madridit vjen si fituese ne fuqi e UEFA Champions League pavarësisht se nga finalja e Kievit ku mundi Liverpulin e deri tani shumë gjëra kanë ndryshuar tek Los Blancos. Fillimisht erdhi largimi i bujshëm nga stoli i Zidan, arkitekti i tre triumfeve te mëdha në Champions, për tu zëvendësuar nga ish-trajneri i kombëtares spanjolle, Julen Lopetegui.

E si të mos mjaftonte kjo gjë, klubi Merengues u trondit në Merkato nga ikona e vet, njeriu me të cilin personifikohen 4 triumfet në Uefa Champions League dhe të gjitha sukseset e Realit në 10 vitet e fundit, Cristiano Ronaldo, i cili shkoi tek Juventus për më shumë se 100 milion euro.

Fushata e blerjeve ka qenë modeste, teksa emri më i madh ishte ai i portierit Kurtua nga Chelsea dhe kjo gjë nuk duket se i ka entuziazmuar tifozët.

Në Talin pritet që titullari në portë të jetë gjithsesi Navas, ndërsa mbrojtja është ajo e sezonit të kaluar me Marcelo, Ramos, Varane dhe Karvahal.

Në mesfushë pritet të luajnë Kros, Izko, Ceballos dhe Asensio me Kasemiron dhe Modric në stol ndërsa në sulm Benzema dhe Bajl.

Real Madrid e ka fituar 4 herë Superkupën e Europës, 1 më pak sesa rekordmenet e Barcelones dhe Milanit.

Nga ana tjetër Atletico Madrid që vjen si fituese ne fuqi e UEFA Europa League e ka fituar dy herë këtë trofe.

Skuadra që vijon të ketë timonier Simeonen ka pasur ndryshime të rëndësishme vetëm në mesfushë gjatë Merkatos ku bie në sy ardhja e Rodrit dhe në mënyre te veçante e Lemar nga Monako. Të dy mund të jetë titullar sonte në mbrëmje ne Talin.

Porta dhe mbrojtja nuk ndryshojnë në raport me edicionin e kaluar ndërsa në sulm do të vijoje të jetë dyshja Diego Kosta e Grizman.

9 herë kanë luajtur përballe njëra-tjetrës në finalen e një trofeu dy ekipet e Madridit, nga të cilët 5 i ka fituar Atletiko. Por reali Ka fituar ato më të rëndësishmet sidomos dy finalet e Champions League së fundmi në 2014, 4 me 1 ndërsa në 2016 me 11-metërsha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *