Reagon kryebashkiakja e PS për drogën në makinë: Trillime portalesh për një “like” më shumë

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi reagoi pas lajmeve dhe akuzave të hedhura nga PD se në makinën e saj është kapur nipi me drogë.
Në reagimin e bërë në “Facebook”, Bufi mohoi të ketë ndodhur diçka e tillë. Sipas saj, lajmet janë shpikur nga portalet për të marrë disa pëlqime më shumë.
“Së pari, një shpjegim për të gjithë qytetarët e Roskovecit: Nuk ndodh as sot dhe në asnjë moment që burime njerëzore apo materiale të institucionit të cilin ma keni besuar, të vihen në shërbim të punëve në shkelje të ligjit! Së dyti, për rastin e ndalimit të Arbër Bufi, shofer i Bashkisë, ka një deklaratë zyrtare nga Policia e Shtetit që nuk ka asnjë lidhje me mashtrimet dhe trillimet e portaleve, të cilët për një “like” më shumë nuk lexojnë edhe vetë se çfarë shkruajnë.”
Një përgjigje Majlinda Bufi e dha edhe për demokratët që u “sulën” kundër saj.
“Së treti, për qytetarin dixhital dhe gjithë të tjerët para dhe pas tij: Me këto gënjeshtra dhe baltë të hedhur, nuk fitoni as një votë më shumë, Roskovecin jo e jo … Dhe e fundit, bashkia do të ndjekë rrugën ligjore të ankimimit për çdo shpifje në lidhje me këtë çështje.”
Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj kërkoi nga kryeministri Edi Rama që kryebashkiakja socialiste të shkarkohet nga detyra.




