Subscribe

Qeveria e Aleksis Tsipras ka bërë të qartë se qëllimi i kryeministrit pas marrjes në duar të frenave të diplomacisë, është të vërë në zbatim marrëveshjen e Prespës.

 

Përfaqësuesi i kabinetit Dhimitris Canakopulos një ditë pas dorëheqjes së ministrit të jashtëm Nikos Kotzias deklaroi prerë se Tsipras tashmë dhe ministër i jashtëm nuk do të lejojë provokime të papërgjegjshme për të destabilizuar qeverinë dhe nuk do të tolerojë asnjë përplasje qëndrimesh brenda kabinetit të tij.

 

Sipas zëdhënësit të qeverisë, kryeministri do të bëjë gjithçka që mundet për të çuar përpara marrëveshjen e Prespës dhe të fillojë një periudhë të re bashkëpunimi në Ballkan me vendet fqinj.

 

Gjithashtu ai siguroi se qeveria greke ka numrat e mjaftueshme në parlament për të miratuar marrëveshjen me Maqedoninë.

 

Për dorëheqjen e Nikos Kotziasit ka reaguar dhe kreu i partisë opozitare Kiriakos Mitsotakis. Sipas tij është e papranueshme të flitet për mosakordime dhe të largohet nga qeveria Kotzias i cili ka qenë në një linjë me kryeministrin për çështjet e politikës së jashtme dhe të mbahet ne qeveri Panos Kammenos i cili ka kundërshtuar vazhdimisht politikat e kryeministrit. Sipas kreut të partisë demokracia e re Tsipras është peng i Kammenos.

 

Largimi i Nikos Kotziasit nga detyra e ministrit të jashtëm pas 3 vitesh e gjysmë vjen në një moment ngërçi politik lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Prespës si në Greqi ashtu edhe në Maqedoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *