Subscribe

Është rikthyer sërish me 8 raste të reja në qytetin e Beratit virusi Covid-19. Vetëm sot janë regjistruar 8 raste të reja me koronavirus, duke e çuar në 16 numrin e rasteve aktive në Berat.

Njëri prej rasteve është një punonjës policie dhe një mësuese anglishte në një nga shkollat e Beratit. Të infektuarit me koronavirus janë 6 meshkuj dhe 2 femra, ata i përkasin moshave nga 32-87 vjeç dhe janë të gjithë kontakte të rasteve të mëparshëm.

Një çift të moshuarish, përkatësisht 87 dhe 86-vjeç janë infektuar nga fqinja e tyre, gruaja 45-vjeçare që rezultoi e prekur disa ditë më parë dhe u dërgua në gjendje të rëndë drejt Spitalit të Tiranës. 4 raste janë kontakte të të burgosurit në IEPV-në e Beratit, që u infektua gjatë qëndrimit 3-mujor në banesë për shkak të pandemisë.

Edhe punonjësi i policisë dhe mësuesja e anglishtes, testet e të cilëve rezultuan “pozitiv” me Covid-19 janë kontakte të rasteve të mëparshme.

Mjekët epidemiologë të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Berat, menjëherë pas konfirmimit të 8 rasteve të reja, janë duke kryer hetimin epidemiologjik për gjurmimin e kontakteve të tyre, ndërkohë që nuk konfirmohet ende numri i tamponeve të marra sot prej tyre në qytetin e Beratit.

Rasti i sotëm me Covid, që i përket punonjësit të policisë, ka vënë në alarm të gjithë DPV-në Berat por nga ana e  DSHP-së konfirmohet se është herët për tu testuar të gjithë punonjësit e policisë, përveç kontakteve të tij të afërta.

Po nga kjo drejtori konfirmohet se ditën e sotme, në bashkëpunim me Bashkinë e Beratit, ata do të dezinfektojnë banesat e 8 rasteve të reja që kanë rezultuar sot pozitivë në Berat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *