Subscribe

Në një kohë kur Shqipëria pret një vendim pozitiv mbi çeljen e negociatave për anëtarësim, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme publikon raportin mbi procesin e integrimit europian.

 

Në dokumentin e depozituar në Kuvend, thuhet se pas rekomandimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave, në varësi të zbatimit të reformës në drejtësi dhe në veçanti të vettingut, qeveria shqiptare është përqendruar tek sigurimi i një vendimmarrjeje pozitive.

 

“Një hap kyç në këtë drejtim është  Reforma në Drejtësi, e cila është një nga reformat më të thella që është ndërmarrë ndonjëherë në vendet kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ecja e shpejtë në plotësimin e hapave të Reformës në Drejtësi, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, plotësimi i Reformës në Drejtësi me masa shtesë si vettingu i trupës policore, janë vendimtare për hapjen e negociatave të anëtarësimit.”

 

Raporti thekson se në tërësi, Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e saj në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

 

“Takimet e institucioneve të përbashkëta Shqipëri – BE janë zhvilluar rregullisht dhe është paraqitur tashmë raportimi i parë si pjesë e procesit të hartimit të Raportit të Komisionit për vitin 2018. Po ashtu, ka vazhduar procesi i përafrimit të legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Megjithatë ky proces duhet të përshpejtohet duke synuar krijimin e një kuadri ligjor evropian në dobi të qytetarit dhe biznesit shqiptar dhe në funksion të procesit të anëtarësimit në BE.”

 

Mazhoranca qeverisëse, thuhet në raport, është përkushtuar për të siguruar dialog politik konstruktiv dhe për të ecur më tej mbi bazat e konsensusit politik, sa i përket integrimit.

 

Për këtë qëllim, Ministria e Jashtme kujton marrëveshjen e 18 majit 2017, e cila sipas saj, i dha fund bojkotit të Parlamentit nga opozita dhe përmirësoi klimën politike.

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *