Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës reagoi këtë të premte pas lajmeve për një draft-raport të Komisionit të Venecias për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. SHBA përgëzoi mazhorancën për vendimin që të mos merret me këtë draft-raport dhe me ligjin në fjalë derisa të dalë raporti përfundimtar i ekspertëve.

 

“Nxisim të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet.”

 

Reagimi erdhi pas lajmeve se në raport ekspertët i jepnin të drejtë Metës për çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me këtë, socialisti Taulant Balla tha se mazhoranca do të ruajë konfidencialitetin e raportit dhe nuk do të ndërmarrë asnjë nismë derisa të shprehet Komisioni i Venecias për ligjin për betimin e gjyqtarëve të Kushtetueses.

 

Ndërkohë, në reagim ambasada amerikane e ndal theksin edhe deklaratat e presidentit Ilir Meta për të mbështetur integrimin e Shqipërisë.

 

“Po ashtu mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë.”

 

Gjatë këtyre ditëve ka patur një përplasje në distancë Rama-Meta pasi kryeministri ka akuzuar presidentin se po lobon kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *