Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi ashpër pas publikimit të raportit të organizatës ndërkombëtare Transparency International për Indeksin e Korrupsionit.
Tabaku u shpreh në “Facebook” se Shqipëria ka humbur 7 vende në 2019 për luftën antikorrupsion pasi në vend tenderat janë abuzivë dhe qeveriset në favor të oligarkëve.
“Shqipëria është vendi ku 1 në 3 tendera jepen në mënyrë abuzive, ku ligjet dhe taksat shkruhen në zyrat e oligarkëve në shërbim të interesit të tyre personale dhe jo qytetarëve. Pikërisht nën këto standarte ne sot gjendemi të renditur më keq dhe kjo renditje dëshmon realitetin e Shqipërisë përballë korrupsionit.”
Si zgjidhje të vetme, Jorida Tabaku sheh largimin e atyre që i cilësoi si kumbarë të korrupsionit. Për demokraten, vendi duhet të shpëtohet nga sistemi korruptiv duke rikthyer tregun e lirë.
“Ka një rrugë për të shpëtuar nga sistemi korruptiv që është instaluar në Shqipëri. Beteja për tregun e lirë, konkurencën e ndershme në këtë treg, heqjen e çdo kontrolli që sjell barrë mbi biznesin, ndërtimin e institucioneve përgjegjëse. Një qeveri që nuk e komandojnë zyrat juridike të oligarkëve por që i harton ligjet në shërbim të qytetarëve. Shqipëria nuk ka më luksin të vuajë pasojat e keqqeverisjes së të paktëve ndaj shumicës. Ka ardhur koha që kumbarëve të korrupsionit t’u japim goditjen e merituar.”
Organizata ndërkombëtare Transparency International e rendiste Shqipërinë në vendin e 106 me 35 pikë, duke treguar kështu se vendi ynë nuk ka bërë progres kundër korrupsionit. Në njtëjtin nivel u renditën edhe Maqedonia e Veriut, Algjeria, Egjipit dhe Brazili.