Subscribe

Kryedemokrati Lulzim Basha reagoi pas publikimit të një raporti nga “Freedom House” për nivelin e demokracisë në Shqipëri.

Basha u shpreh në “Facebook” se përfundimet e këtij raporti tregojnë se qeveria ka dështuar në garantimin dhe respektimin e demokracisë.

“Bashkë me maskat e skaduara të qeverisë, ka rënë edhe maska e skaduar e demokracisë fasadë në Shqipëri. Freedom House arrin në këtë konkluzion në raportin e saj të fundit që tregon se vendi ynë ka berë hapa prapa ne nivelin e demokracisë në vend: rënie në fushën e qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor, vlerësim negativ për pavarësinë e gjyqësorit dhe për lirinë e mediave. Gjithashtu, ishte zhbërja e institucionit të parlamentit nga qeveria dhe maxhoranca që e detyruan opozitën të largohet nga institucioni. Të gjithë e shikojmë sot në kohën e pandemisë dhe krizës ekonomike sa të vërteta janë këto raporte ndërkombëtare për dështimet e qeverisë. Sepse institucionet e shtetit shqiptar nuk punojnë më për njerëzit, ato punojnë për një grup në pushtet që vjedh pasuritë publike, që gënjen dhe mashtron, dhe që i braktisi njerëzit gjatë pandemisë kur ata kishin më shumë nevojë se kurre për shtetin.”

Kreu i PD tha se është koha që institucionet t’u kthehen njerëzve dhe të rivendosen standardet demokratike në vend.

Sipas “Freedom House”, niveli i demokracisë në vendin tonë është përkeqësuar në 2019.

Për këtë raport pati një reagim edhe nga presidenti Ilir Meta, i cili e cilësoi kambanë alarmi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *