Banka Botërore vlerëson se Shqipëria shënoi gjatë 2016-ës rritjen ekonomike më të lartë në rajon me 3.5%.
Të dhënat u publikuan të enjten nga Banka Botërore në raportin vjetor për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore, Ellen Goldstein, u shpreh gjatë prezantimit të raportit në Tiranë, se rritja ekonomike do vazhdojë edhe për 2017-ën në shifrat 3.2%.

“Rimëkëmbja e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor u përshpejtua në vitin 2016, shoqëruar me prirje pozitive për uljen e papunësisë dhe varfërisë,” u shpreh Goldstein, ndërsa theksoi se,“Rritja dhe punësimi u rritën veçanërisht në vende që kanë shënuar progres të rëndësishëm në uljen e deficitit fiskal, duke adresuar probleme të trashëguara të një shteti të madh dhe joefikas, si dhe duke përmirësuar mjedisin e biznesit për investime vendase dhe të huaja.”

 

Raporti evidenton se, pavarësisht këtij progresi, tregu i punës në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka sfida, me një shkallë papunësisie që luhatet rreth 22 përqind për vitin 2016. Ndërsa reformat e qëndrueshme kanë qënë efikase në tërheqjen e investimeve private, stabilizimin e borxhit publik, dhe rritjen e të ardhurave të qytetarëve. Ekaterina Vostroknutova dhe Marco Hernandez, Kryeekonomistë dhe bashkëautorë të raportit, tha se, “Ka pasur përmirësime të balancave fiskale në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Disa vende e kanë arritur këtë, duke mbajtur nivelin apo rritur shpenzimet për investime, gjë që do të ndihmojë të ruhet dhe përshpejtohet ritmi i rritjes në të ardhmen”. 

 

“Vende të tjera ulën deficitin duke shkurtuar investimet, ndërkohë që ngritën pagat, pensionet dhe pagesa të tjera ndihmës sociale dhe subvencionet. Kjo demton rritjen në të ardhmen”, theksoi ai.

 

Sipas raportit, konsolidimi i rritjes në Ballkanin Perëndimor dhe adresimi i sfidave të vazhdueshme të papunësisë, kërkon që vendet t’i përmbahen kursit të reformave. Në veçanti, konsolidimi i mëtejshëm fiskal dhe reformat strukturore janë të domosdoshme për të gjashtë vendet e rajonit për të përmirësuar efikasitetin e sektorit publik si dhe për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomive të tyre që të nxisë zhvillimin e sektorit privat. Raporti thekson se reformat duhet të përqëndrohen në fushat e tregut të punës, klimën e biznesit, efikasitetin e sektorit publik dhe integrimin global, duke siguruar përdorim të qëndrueshëm të burimeve të energjisë dhe atyre natyrore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *