Subscribe

Një nga pikat më fort të kontestuara nga dy ekspertët e kontraktuar për të dalë në një konkluzion se kush ka të drejtë “Bankers Petroleum” apo shteti shqiptar, ka qënë pikërisht procedura e prokurimeve publike që kanadezët kanë ndjekur në vitet që kanë operuar në Shqipëri. Vizion Plus ka arritur të sigurojë të dy raportet, atë të “Price Water House Cooper” dhe “Navigant”. Në të dy këto audite, kompanitë nuk bien dakord mbi mënyrën se si “Bankers Petroleum” ka ndjekur procedurat për të dhënë shërbime në firmat e tjera. Në total, tabela e shumës së kontestuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore është 247 milion dollar, ku 114 milion janë procedura të dyshimta të kontraktimit të firmave në shpimin e puseve, transportin e naftës dhe shtrimin e rrugëve ndihmëse që nevojiten për zonat naftëmabjtëse. Në raport përmenden 9 kompani, ku pala shqiptare nuk ka rënë dakord me kostot që janë përkthyer si shpenzime të “Bankers” në mënyrë që të mos të paguajë tatim fitim. Pretendimet e AKBN janë këto: “Bankers” ka për detyrë që në bazë të kontratës që ka me “Albpetrol” të hapë thirrje të shumta për shërbime potenciale të cilat bëhen në bazë të rregullave të prokurimit. një proces i tillë mund të përfshijë tendera të hapur publikë me ftesa specifike për shërbimet që kërkohen, kuotat e shërbimeve të cilat më pas të krahasohen me propozimet e tjera.

Por edhe pse është pranuar që kanadezët nuk kanë ndjekur rregullat e kontratës dhe madje ka marrë firma me negocim dhe përzgjedhje të parapëlqyer, sërish “Bankers” ka arritur të justifikojë shpenzimet e larta duke marrë të drejtë në tavolinën e ekspertit. “Price Water House Cooper” dhe “Navigant” kanë patur mospërputhje mendimi vetëm në rastin e një kompanie ndërtimi që ka 12 vite që zbaton projekte lokale të shtrimit të rrugës për “Bankers”. Për 2011-ën, “Navigant” nuk i njohu 22 milion dollarët e shpenzimeve të dhëna kësaj firme.

“Navigant” nuk bie dakord me përfundimin e “Price Water House Cooper” se 22.9 milion dollarët e kësaj firme të përzgjedhur me dëshirë janë të kthyeshme. kontrata thotë se “ Kostot dhe shpenzimet të cilat kanë ardhur si rezultat i përzgjedhjes me parapëlqim nuk duhet të konsiderohen si kosto hidrokarbure dhe nuk mund të jenë të kthyeshme.”

“Price Water House Cooper” pranoi që procedurat e prokurimit me këtë kompani nuk ishin të rregullta, por ndryshe nga eksperti tjetër konstatoi se nuk vërtetohet shuma e shpenzuar shtesë nga kanadezët që përzgjodhi me parapëlqim këtë firmë.

“Lidhur me këtë kompani ne kemi parë që procedurat konkurruese të “Bankers” kanë qënë me përzgjedhje të parapëlqyer. Megjithatë, paneli i ekspertëve nuk mendon se do të ishte e përshtatshme, e arsyeshme dhe konsistente me marrëveshjen hidrokarbure që të klasifikonte të gjitha këto kosto si të pakthyeshme. Nuk ka dokumentacion që të provojë se sa është vlera e saktë e këtyre kostove që janë deklaruar shtesë si pasojë e mungesës së procedurave konkurruese”.

Në përfundim ekspertët i njohën të gjitha shpenzimet e Bankers si të rregullta për shkak se “Price Water House Cooper” ishte mendimi i shumicës. Kanadezët janë dyshuar nga autoritetet shqiptare se në vite nuk kanë paguar asnjë taksë tatim mbi fitim për shkak se deklarojnë shpenzime të fryra dhe në fund të bilanci i del me humbje. Burime konfidenciale thonë për Vizion Plus se institucionet janë duke argumentuar pikat e forta që mund të ketë pala shqiptare për të shkuar në Arbitrazh Ndërkombëtar, pasi nëse e humbet çështjen, do t’i mbetet edhe një faturë e madhe për të shlyer firmën ligjore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *