Raporterët e Komisionit të Venecias u rikthyen mëngjesin e së premtes në selinë e Kryesisë së Kuvendit për një takim të dytë me ekspertët e nivelit të lartë vendas dhe të huaj, të atashuar pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi.
Në takimin që zgjati për mbi tre orë, u rishqyrtuan ato pika të cilat ndajnë palët në proces. Raporterët kërkuan të vilnin më shumë informacion nga ekspertët e nivelit të lartë dhe të mësonin më shumë detaje, kryesisht mbi votimin me 3/5 apo 2/3 të anëtarëve të institucioneve të larta të gjyqësorit. Pas takimit, Gent Ibrahimi, tha se të paktën për çështjet teknike drafti legjitimohet. Takimi me ekspertët e nivelit të lartë, u zhvillua pasi raporterët e Venecias, u takuan një ditë më parë Ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani dhe ekspertët e Partisë Demokratike. Pritet që në mbrëmje ata të dalin përpara mediave për të folur mbi çka përftuar nga takimet e këtyre dy ditëve në Tiranë.