Një natë e “çmendur” ka qenë mbrëmja e djeshme në “San Siro”, në sfidën mes Interit dhe Empolit, e vlefshme për çerekfinalet e kupës së Italisë. Deri në kohën e regullt, zikaltërit ishin jashtë këtij kompeticioni, por mrekullisht Ranokia shënoi në kohën shtesë për të kthyer më pas gjithçka në favor të skuadrës së tij.

 

Ndeshja nisi më mirë për të zotët e shtëpisë me Interin që e gjeti veten në avantazh që në minutën e 13-të me një gol me kokë të Sançez, i cili u la i pamarkuar në zonë. Sfida mund të ishte mbyllur më herët, por Dumfires fillimisht dhe Lautaro më pas, nuk u treguan të saktë përpara portës. Kaq mjaftoi që pjesa e parë të mbyllej në ato shifra.

 

Në fraksionin e dytë, Empoli hyri me një fytyrë tjetër në fushë pas tre zëvendësimeve të kryera nga Andreaxoli. Në golin e barazimit protagonistë ishin dy shqiptarë. Asllani kroson drejt zonës dhe topi gjen Bajramin, i cili shkarkoi të majtën e tij duke mposhtur portierin kundërshtar. Ky gol i dha një shtysë më tepër Empolit i cili gjeti dhe avantazhin. Goditja me kokë e Kutrones gjeti të pafat portierin Radu, pasi topi u përplas në trupin e tij dhe përfundoi në rrjetë.

 

Atëherë kur dukej se Empoli po bënte mrekullinë, Ranokia, përmbysi fatet e takimit, i cili gjeti barazpeshën me një gol fantastik akrobatik.
Me moralin lart dhe më të karikuar, zikaltërit gjetën dhe golin e tretë dhe të fundit në minutat shtesë me anë të Sensit, i sapoinkuadruar në fushë. Kaq mjaftoi që Interi të priste biletën në çerekfinale, aty ku do të përballet me një nga fitueset e çiftit Roma-Leçe që luajnë sot në mbrëmje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *