Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit miratuan këtë të premte në parim ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë.

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi e konsideroi këtë proces si kauzën e qytetarëve shqiptare dhe jo e partive politike.

Ai u shpreh se diskutimet për ndryshimin e sistemit dhe hapjen e listave nuk janë më “tabu”, me argumentin se dikur ishte e pamundur të flitej për to.

Duke iu referuar replikave mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Lulzim Basha, ish-deputeti tha se ata janë të frikësuar, pasi ndodhen në garë për t’ia lënë përgjegjësinë njëri-tjetëri nëse listat nuk hapen.

“Hapja e listave është një kauzë e publiku shqiptar, jo e partive politike dhe si e tillë ka filluar të funksionojë. Unë sot i kam parë të trembur. Dikur nuk bëhej fjalë të flitej për hapjen e listave apo ndryshimin e sistemit. Sot nuk është më tabu. Të dy udhëheqësit kryesorë, pengmarrësit më të mëdhenj të demokracisë në Shqipëri, ishin në garë për t’ia lënë në prehër përgjegjësinë e listave në rast se nuk do të ndodhë.  Ka mundësi që të jetë një taktikë politike, që Edi Rama provokon opozitën jashtë parlamentare, faktorin ndërkombëtar, duke mos marrë përgjegjësine e asaj që ai nuk është për hapjen e listave. Edi Rama ka kuptuar që nuk është mirë të jesh në drejtim të kundërt me erën dhe era është për hapjen e sistemit.”

Për Patozin, hapja e listave nuk është e mjaftueshme. Sipas tij, ky proces duhet shoqëruar me korrektimin kombëtar të sistemit dhe depolitizimin e komisioneve.

“Sipas nesh, hapja e listave është e pamjaftueshme, gjithsesi ne do ta mbështesim. Hapja e listave duhet shoqëruar me korrektimin kombëtar dhe depolitizimin e komisioneve; këto janë tre shtyllat kryesore për të pasur një reformë të qenësishme në Shqipëri. Çështja e listave është një e drejtë dhe një detyrim që partitë politike duhet t’ua japin qytetarët shqiptar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *