“Një operacion kontrabandë vaksinash i kryer nga dy ministra!”

 

Kështu është quajtur nga mediat Italiane historia e treguar nga kryeministri Edi Rama në universitetin e Bergamos.

 

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë universitet, kreu i qeverisë zbuloi se si bashkëpunoi me ish-ministrin e Jashtëm Italian, Luigi Di Maion, për të marrë vaksina fshehurazi nga Italia, pavarësisht ndalimeve të Pfizer.

 

“Sot do të them diçka që askush nuk e di. Unë jam shqiptaro-italian, Di Maio napolitano-shqiptar, kemi bërë bashkë një operacion kontrabande. Çfarë italiani apo shqiptari jeni nëse jeni gjithmonë në përputhje me ligjin?”, është shprehur Rama, duke u drejtuar nga Di Maio, i cili qëndronte në rreshtin e parë në ‘Aula Magna’ të Universitetit të Bergamos.

“Njerëzit kishin frikë dhe ne mbetëm si peshku pa ujë, pasi nuk po siguronim vaksina anti-Covid. E pyeta Luigin: A mund të na japësh doza të paktën për mjekë dhe infermierë? ‘Pfizer’ kishte një kontratë shumë kapitaliste me qeveritë: Unë ju jap vaksinat, por ju nuk mund t’ia jepni askujt. Luigi tha: Do të ishte një gjë shumë serioze! Por ne e bëmë këtë me shërbimet sekrete: Dy ministra që i kalonin mallrat kontrabandë njëri-tjetrit për të shpëtuar njerëzit. Më pas nuk mund t’i fshihnim vaksinat, duhej t’i administronim edhe ato. Avokatët e ‘Pfizer’ kërcënonin me padi dhe donin të dinin se si i morëm ato, por ne thjesht thoshim: nga një vend mik”, rrëfeu më tej kreu i qeverisë, raporton “Corriere della Serra”.

 

Nga ana tjetër, ish-ministri italian u shpreh se ky operacion ishte një mundësi e shkëlqyer për të ndërtuar ura mes dy vendeve.

 

“Është një burim krenarie dhe se në moment historik, është një mundësi e shkëlqyer për të ndërtuar ura mes dy vendeve dhe për të zbuluar se jemi më afër se sa mendoni”, theksoi Di Maio.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *