Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur menjëherë deklaratës se ambasadorit amerikan Donald Lu. Duke shfrytëzuar nje takim me studentet e shkollës qe përgatit magjistratët e rinj, shefi i qeverise tha se është i gatshëm te takohet me kundërshtarin e tij politik. Ndërkohe me herët, propozimin drejtuar opozitës për reformën në drejtësi kryeministri Rama e tha ne mënyrë te drejtpërdrejte: pranohet çdo ndryshim, mjafton të marrë bekimin e ndërkombëtarëve.
“E ftoj Bashën nga sot e deri në orën 10 të datës 21 korrik të më njoftojë menjëherë. Unë do e votoj pa ndryshuar pa asnjë dyshim. Të ketë dy vula, SHBA dhe BE.”
Kryeministri konsideroi si absurd pretendimin e PD se përfshirja e ndërkombëtarëve në procesin e Vetingut, cenon sovranitetin e vendit. Rama kujtoi se çdo vend që është bërë pjesë e Bashkimit Europian, ka kaluar përmes skanerit të partnerëve ndërkombëtarë. Shefi i ekzekutivit nuk kurse akuzat ndaj opozitës, e cila sipas tij me oponencën që po i bën reformës po mbron korrupsionin në drejtësi. Kryeministri Edi Rama theksoi se pa reformën në sistemin e drejtësisë, Shqipëria jo vetëm do të humbasë shansin e madh për t’iu afruar më shumë Bashkimit Europian, por do të kthehet shumë pas në kohë në procesin e integrimit.