Subscribe

Lideri i opozitës, Sali Berisha, paralajmëroi se në seancën e fundit të parlamentit opozita do të fokusohet tek beteja kundër 3 inceneratorëve.

 

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha theksoi se për këtë çështje përgjegjësi kryesor është shefi i qeverisë, Edi Rama.

 

SALI BERISHA

 

“Sot bëhet gjithçka, që afera qindra milionë euro e plehrave, t’iu atribuohet tre personave: Klodian Zotos, Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalles. Bëhet gjithçka që të paraqiten këta si truri, si djalli me zile, vetëm për të mbuluar të vërtetën, vetëm e vetëm për të fshehur realitetin se bosët e inceneratorëve janë Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi.”

 

Ish-kryeministri akuzoi kreun e bashkisë së Tiranës si iniciator dhe përgjegjës për inceneratorin e Tiranës.

 

“A e dini kush e ka bërë projektin e djegësit të Tiranës? Kush ka qenë konsulente?  Studio e Velicës! E bashkëshortes së Erion Veliajt. Studio aktive dhe superaktive në këtë problem.”

 

Lideri i opozitës ka paralajmëruar debat në parlament edhe kundër ligjit për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

 

“Asgjë nuk e justifikon kanabisin në Shqipëri. Por me Edi Ramën, Shqipëria është narkoshtet tipik, i vetëm në Europë.”

 

Nesër është seanca e fundit e parlamentit, para se deputetët të nisin pushimet e verës dhe pritet që kjo të jetë një prej seancave më të gjata, pasi përveç çështjes së inceneratorëve, në rendin e ditës është parashikuar miratimi i ligjit për legalizimin e kanabisit dhe ligji që detyron studentët e mjekësisë të punojnë 5 vite në Shqipëri.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *