Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen sa i përket hetimeve të Prokurorisë së Posaçme ndaj AKSHI-it ku e përfshirë është dhe drejtuesja e institucionit Mirlinda Karçanaj.
Në Podcastin e tij “FLASIM” kreu i qeverisë, i cilësoi akuzat të hatashme, megjithatë u shpreh se duhet pritur më parë fjala e drejtësisë.
“E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jeësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqiperise, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën nje mase sigurie me një akuze te hatashme, per te cilen duhet pritur me durim vetem nga drejtesia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë dalja deri në fund e vërteta e saj ciladoqoftë ajo”, tha Rama.
Sipas Ramës, pretendimet e kundërshtarëve politikë dhe jo vetëm, nuk mund të zhbëjnë progresin e bërë nga AKSH-i.
“Katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionale e ligjorë, dhe pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqesor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve tëçorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë”, shtoi Rama.
Madje theksoi se vendi ynë është vlerësuar dhe nga ndërkombëtarët sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe jo vetëm.
“Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit, Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, njëparti në pushtet i hap rrugen drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr”, deklaroi kryeministri.
Më 23 dhjetor, Karçanaj dha dorëheqjen nga posti, duke ia deleguar kompetencat vartëses së saj, Romina Kostani. Ajo është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion për abuzime me tenderat e agjencisë që drejton./vizionplus.tv





