Rama: Të hënën seancë e jashtëzakonshme, të votojmë vettingun

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një kërkesë Kuvendit për caktimin e seancës së jashtëzakonshme ditën e hënë në orën 18:00.
Në këtë kërkesë me shkrim kreu i qeverisë bën thirrje për votimin e komisioneve të vettingut, zgjedhjen e kreut të ri të KQZ-së dhe miratimin e pakëtës ligjore për reformën zgjedhore sipas paktit të arritur me kryedemokratin Lulzim Basha.
Ja kërkesa e plotë e publikuar në faqen e kuvendit:
Njoftim – Për Kërkesën e Kryeministrit për mbledhjen e Kuvendit për zhvillimin e një sesioni të jashtëzakonshëm
Bazuar në nenin 74 të Kushtetutës dhe në nenin 42 të Rregullores së Kuvendit, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama, i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë të motivuar me shkrim për thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm.
Kërkesa ka përcaktuar që thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm të zhvillohet ditën e hënë, më datë 22 maj 2017, në orën 18.00.
Rendi i ditës i seancës plenare do të përmbajë diskutimin dhe votimin e çështjeve për vënien në zbatim të Marrëveshjes Politike të datës 18 maj 2017, lidhur me:
- Votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave;
- Shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore që ka lidhje me reformën zgjedhore;
- Miratimin e anëtarëve të pakicës parlamentare në 3 komisionet ad hoc të vettingut, si dhe caktimin e zëvendësuesve;
- Zgjedhjen e Kryetarit dhe një anëtari të KQZ-së.
Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe afatet e parashikuara në të, Kryetari i Kuvendit do të nxjerrë urdhrin për mbledhjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm dhe do të publikojë rendin e ditës.




