Në mesin e një atmosfere tejet të trazuar politike, kryeministri Edi Rama gjendet në Prishtinë këtë të hënë për të mbështetur edhe zyrtarisht përfaqësuesit e lartë të shtetit të cilët janë vendosur nën aktakuzë nga prokuroria speciale e Hagës.


Në përballjen me presidentin Hashim Thaci i cili akuzohet për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit, kryeministri Rama kërkon të ritheksojë qëndrimin e tij kundër asaj që e quan një njollë turpi për organin e drejtësisë ndërkombëtare.


EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!


Menjëherë pas takimit me Ramën, presidenti Thaci pritet të deklarojë para mediave vlerësimin e tij, 5 ditë pas bërjes publike të aktakuzave.


Ndërkohë, kryeminstri Rama është takuar edhe me homologun kosovar Avdullah Hoti si dhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjithashtu i akuzuar, bashkë me kreun e shtetit dhe nëntë persona të tjerë.

Më herët shefi i qeverisë është pritur edhe nga kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani, ish kryemisnitri Albin Kurti si dhe kryetari i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj.


Vizita zyrtare në Prishtinë vjen në një kohë kur edhe është anuluar takimi për dialogun në Uashington, tre ditë përpara datës së caktuar.


Një ditë pas publikimit të aktakuzës, nga foltorja e parlamentit, kryeminstri Edi Rama foli për një drejtësi eksperimentale dhe selektive ndërkombëtare ndaj hetimeve të kryera përgjatë luftës Kosovë Serbi.

Pasi e cilësoi si një fletërrufe e dalë nga revolucioni kinez kulturor, kreu i qeverisë doli në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve të saj. Për Edi Ramën, aktakuza përmbysi peshoren e drejtësisë duke mbështetur xhelatin dhe jo viktimën

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *