Subscribe

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë dhe do të mbeten strategjike. Deklarata u bë nga kryeministri Edi Rama gjatë takimit me komunitetit shqiptar në Nju Jork. Shefi i qeverisë theksoi se raportet mes dy vendeve janë intensifikuar me përpjekjet për të ndërtuar shoqërinë tonë e lirë, për përforcimin e sundimit të ligjit, për çlirimin e Kosovës, por edhe gjatë angazhimit të përbashkët në luftën kundër terrorizmit.

 “Sot Shqipëria është një spirancë stabiliteti në Ballkan; një anëtare e NATO-s, së bashku me SHBA-në dhe miqtë e partnerët e tjerë, kandidate për anëtarësim në BE; por më shumë se çdo gjë, një demokraci gjithnjë e më të fortë, një shoqëri e lirë, me një kohezion social të admirueshëm, një oaz respekti mes besimeve të ndryshme, diçka që e tërë bota admiron. Nga ana tjetër dua ta them dhe ta përsëris se ne shqiptarët nuk kemi qenë kurrë më mirë më parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë. Me një tjetër shtet shqiptar, Kosovën e lirë dhe të pavarur.”

Kryeministri Rama tha se për të fuqizuar lidhjet e diasporës shqiptare me Shqipërinë në nëntor të këtij viti në Tiranë do të mbahet Samiti i parë i Diasporës

 “Unë jam i bindur që mund të bëjmë më shumë dhe më mirë. Jam i lumtur të shpall këtu, për herë të parë, se në nëntor të këtij viti do të organizojmë Samitin e parë të Diasporës Shqiptare në Tiranë. Puna për organizimin e Samitit është në zhvillim dhe shumë shpejt, detajet për pjesëmarrjen dhe regjistrimin do të bëhen publike. E shkuara jonë e hidhur dhe e përçarë, dekada të mungesës së komunikimit, vrulli për të zbuluar botën dhe vështirësitë e tranzicionit në rindërtimin e shtëpisë sonë na kanë mbajtur shpesh të veçuar. Kjo nuk do të ndodhë më. Samiti do të jetë një event madhor, ku qeveria dhe aktorë të tjerë kombëtarë do të diskutojnë me përfaqësuesit e diasporës shqiptare nga çdo kënd i botës, në më shumë se 50 vende, për hapat konkretë që mund të hedhim për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis nesh. Në radhë të parë, si mund të ndërtojmë sa më shumë ura dijeje, sepse dija është gjëja më e çmuar që Shqipëria mund të mësojë nga ju këtu dhe nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë.”

Rama theksoi se takimi me diasporën, do të udhëhiqet nga nevoja për të ndërtuar një urë midis shqiptarëve, për të bërë më shumë në ruajtjen e gjuhës, imazhit dhe zhvillimit të identitetit tonë, si dhe nga nevoja për të ngritur strukturën e bashkëpunimit.

 “Do të jetë momenti për të treguar se ne mund të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës, por të ndihemi një; mund të jemi të shpërndarë në shtete të ndryshme, por gjithmonë të bashkuar rreth vlerave tona, parimeve tona, vendosmërisë sonë kulturore dhe shpirtërore, gjuhës dhe përkatësisë sonë, identitetit tonë unik shqiptar. Do të jetë momenti për të diskutuar dhe shpresoj për t’u dakordësuar mbi rrugët dhe mënyrat e strukturimit të bashkëpunimit tonë, duke ngritur mekanizma për të punuar dhe zbatuar projekte që do të na lejojnë të jemi plotësues të njëri-tjetrit. Do të nisim nga njohja e njerëzve në Shqipëri, me shembujt e suksesit, heronjtë e diasporës, në kuptimin e punës, arritjeve dhe suksesit të përditshëm. Në kthimin në shtëpi, përpjekjet tona të përbashkëta mund të maksimizojnë progresin dhe mirëqenien, duke rritur shkëmbimet tregtare dhe lidhjet ekonomike. Këtu në diasporë, ne mund të bëjmë shumë më tepër në ruajtjen e gjuhës sonë, imazhit tonë, në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë, duke ofruar shërbime më të mira përmes rrjeteve tona konsullore, duke punuar me qeveritë e tjera, për të ruajtur të drejtat individuale dhe komunitare. Samiti i nëntorit do të jetë momenti për të treguar se cilët jemi dhe se jemi tashmë të aftë dhe të pjekur mjaftueshëm për të bërë më shumë dhe për të synuar më lart.”

Gjatë qendrimit në Nju Jork, kryeministri Rama u prit në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë Bill de Blasio. Gjatë takimit kreu i qeverisë vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe rolin që SHBA ka luajtur në mbrojte të interesave kombëtare shqiptare. Nga ana e tij, kryebashkiaku De Blasio e përgëzoi Kryeministrin Rama për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në Nju Jork.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *