Subscribe

Kryeministri Edi Rama takoi sot në Milano shqiptarët që jetojnë e punojnë në vendin fqinj. Në Itali jetojnë 700 mijë shqiptarë e qeveria italiane është një prej avokatëve më të fortë të integrimit të Shqipërisë në BE; dhe vizita e liderit të mazhorancës nuk u shoqërua me të njëjtat tensione që shoqëruan takimin e tij në Athinë dhe as kritikat e klasës politike kundër kësaj vizite.

Në këtë sfond, në një sallë të mbushur me flamuj shqiptarë e italianë mesazhi i kryeministrit Edi Rama u fokusua tek e ardhmja europiane e Shqipërisë

“Ju Jeni krenaria shqiptare e mishëruar e misionit tonë kombëtar e bashkimit me Europën demokratike, tha Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare risolli në vëmendje fillimet e vështira të shqiptarëve që emigruan drejt Italisë në vitet 90, pa harruar edhe tragjeditë si ajo e mbytjes së anijes Kateri i Rades ku 57 shqiptarë humbën jetën; duke u kujdesur të nxjerrë në pah diferencën mes sjelljes së qeverive italiane e atyre greke ndaj shqiptarëve

“Ishte koha e mbytjes së anijes Kateri i Rades, jashtë librit të historisë europiane. Por Italia nuk ishte Greqia e asaj kohe, jo vetëm populli Italian ua hapi derën shqiptarëve por edhe qeveritë italiane u sollën me Shqipërinë si askush tjetër”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sot shqiptarët që jetojnë në Itali, por edhe në Greqi e kudo tjetër janë treguesi më i mirë se Shqipëria e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Europian

“Shqipëria tanimë po e fiton si ju betejën e saj të drejtë në kërkim të kurorës së drejtësisë për vendin e saj në ligj me zot me zakon në familjen e Europës”, tha Rama.

Për 60 minuta kryeministri Edi Rama shfrytëzoi historinë vjetër e të re të dy vendeve tona për të shpjeguar jo thjesht lidhjet e forta mes Shqipërisë e Italisë, por për të theksuar se vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Evropian

“U them kolegëve europianë ne nuk jemi ende të gjithë në be, por të qenit europianë në mes të Europës ne nder dhe dinjitet shqiptarëve ua ka caktuar i njëjti zot dhe ne na e ka shkruar amaneti i Skënderbeut i dëshmoreve të demokracisë, jeni ju që ia keni imponuar të paret se shqiptarët janë pjesë e Europës dhe ju jeni pjesë e familjes europiane”, tha Rama.

Për herë të parë kryeministri Edi Rama zgjodhi të replikojë nga Milano edhe me opozitën sipas të cilës qeveria socialiste është përgjegjëse për largimin e shqiptarëve nga vendi

“Disa gojë thoshin që unë nuk duhet të vija këtu se kanë ikur 1 milion shqiptarë, kjo  e 1 milion shqiptarëve është një gënjeshtër e madhe, njësoj si ajo e autobusëve të ardhur nga Tirana duke i ofenduar shqiptarët e Greqisë”, tha Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare përcolli para shqiptarëve të Italisë mesazhin se Shqipëria ka ndryshuar e se është gati të presë secilin prej tyre që dëshirojnë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre

“I them atij që do besojë tek Shqipëria e sotme, Shqipëria e nesërme do t’ia kthejë shumëfish besimin. Ju e dini se sa shumë janë vështirësuar gjërat, por edhe mundësi të reja për Shqipërinë”, shtoi kreu i qeverisë.

Sipas kryeministri Rama sot Shqipëria po jeton një epokë të re.

Gjatë takimit të kryeministrit Edi Rama u shënua edhe një incident kur përfaqësues të diasporës  tentuan të ngrenë një banderolë ku shkruhej  “dua të votoj në vitin 2025”, por aktivistet u nxorën jashtë brenda pak minutave./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *