Subscribe

Kryeministri  Edi Rama ka sqaruar për mediat austriake vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet me Iranin.

 

Gjithçka sipas tij ndodhi pas sulmeve të njëpasnjëshme kibernetike, që ishin urdhëruar nga regjimi i Teheranit.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTRI I SHQIPËRISË

Irani sulmoi vendin tonë me një sulm masiv kibernetik. Qëllimi ishte të shkatërroheshin të gjitha shërbimet digjitale të qeverisë, që ne kemi ndërtuar me shumë mund përgjatë shumë viteve. Falë specialistëve tanë të IT-së, ekspertëve nga Microsoft dhe qeveria amerikane, ne arritëm të zvogëlojmë dëmin.

 

Sa i përket situatës në rajon kryeministri shqiptar pohoi se ajo është e brishtë dhe se Rusia ka interes për nisjen e një konflikti në Ballkan. Por gjithashtu Rama theksoi Serbia nuk duhet të vihet në presion për sanksione ndaj Moskës.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTRI I SHQIPËRISË

 

Ndikimi i Moskës në Serbi është i fortë. Rusia ka shumë ndikim te serbët. Putini do të ishte i gëzuar nëse do të kishte një konflikt diku në Ballkan. Duhet të parandalojmë me çdo kusht që të ndodhë diçka e keqe. Ballkani ka qenë gjithmonë një vend i tensionuar. Por nuk mund të kërkosh shumë nga Beogradi tani. Gjithçka mund të përmbyset. Serbia, nuk mund të sanksionojë Rusinë.

 

Rama nënvizoi se ndërmarrja e nismave rajonale dhe bashkëpunimi do të eliminonte rrezikun e një konflikti të ri në Ballkan.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTRI I SHQIPËRISË

Mendoj se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Ne bashkëpunojmë në projekte si ai i “Ballkanit të hapur”, ku janë të ftuar edhe të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit. Vuçiç ka pranuar kështu kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Një hap i madh përpara dhe një arritje vërtet e madhe politike. Kurti thotë se serbët duhet së pari të kërkojnë falje për atë që u kanë bërë shqiptarëve. Dhe unë i them po, Serbia duhet të kërkojë falje. Pyetja e vetme është kur? Unë mendoj se falja do të vijë kur dialogu të funksionojë.

 

Lidhur me ikjen e të rinjve nga Shqipëria kryeministri tha se gjithkush ka të drejtën të kërkojë një jetë më të mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *