Mungesa prej disa kohësh në punën e përditshme e sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaci është bërë shkak për një tjetër përplasje dhe shkëmbim akuzash mes kreut të opozitës Sali Berisha dhe kryeministrit Edi Rama.
Ky i fundit në një komunikim në rrjetet sociale sqaron se Engjëll Agaçi prej kohësh po lufton me një sëmundje të rëndë.
“Përpara disa kohësh u nis në Itali për arsye domethënëse shëndetësore, kaloi në tehun mes jetës dhe vdekjes, si pasojë e një bllokimi të arterieve koronare për të cilin u operua në zemër dhe pas operacionit pati një ndalesë dramatike polmonare. Me fjalë tjera, daljetë mushkërive nga funksioni, gjë që imponoi futjen në aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar. Pas një periudhe shumë të vështirë në reanimacion, ku për disa ditë, mjekët italianë rezervoheshin të jepnin çfarëdolloj sigurie se do dilte nga situata e rëndë, ai vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e tyre për të rehabilituar mushkëritë e lënduara rëndë”, tha Rama.
Teksa e cilëson sekretarin Agaçi si të marrë penga nga opozita, kryeministri thotë se mungesa e tij po përdoret nga kundërshtarët politikë për të bërë akuza të pabaza.
“Tani prej ditësh këneta ka marrë peng Ëngjëll Agaçin, ka marrë peng gruan, vajzën e tij, nënën e tij të mrekullueshme, familjen, të afërmit, miqtë e tij dhe me ferman të Bufit që e shpalli Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, një person në arrati nga drejtësia dhe me tam-tamet e mushkonjave anafele të kënetës mediatike, të cilat hodhën helmin e zëvendësimit të tij, e dyndjes së hetuesve të SPAK-ut në kryeministri, e marrjes së laptopit të sekretarit dhe syrit që t’u dalë bashkë me qimen e bufit.
Është e hatashme që, megjithëse kryeministria ka bërë njoftim publik, mirë ca qimra e ca jargë të bufit në pasqyrën mediatike të folësë tij, po i sëmuri që lufton për jetën andej, është bërë mish për qoftet e klubeve të natës, ekran më ekran këtu, vetëm e vetëm se u fut në gojën e mendertë të bufit të kënetës, një katran me bojë i mirënjohur dhe famëkeq si shpifaraku më i madh që ka lindur toka shqiptare dhe si shkelësi më brutal në historinë e këtij vendi, i çdo zakoni, i çdo kanuni dhe i çdo norme njerëzore”, deklaroi Rama.
Sipas kreut të opozitës Sali Berisha, Engjëll Agaçi ndodhet në Itali jo për arsye shëndetësore, po për shkak të problemeve me drejtësinë.
/vizionplus.tv





