Subscribe

Për të garantuar sigurinë, shmangien e konflikteve, por edhe evitimin e çdo fenomeni negativ, në gjimnaze do të vendoset një oficer sigurie. Në prezantimin e platformës “Siguria në Shkolla”, kryeministri Rama tha se nevoja lindi nga boshllëku që ekziston në ndërveprimin mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve.

 

“Është normale që nëse mësuesit apo drejtoria e shkollës, ndesh me vështirësi të caktuara që lidhen me fenomene të dhunës, të shitjes apo konsumimit të lëndëve narkotike, është e pamundur që këto shqetësime të adresohen duke përfshirë drejtpërdrejt Policinë. Për këtë arsye do krijohet Oficeri i Sigurisë, që nuk është polic, nuk vjen në komunitet për të ushtruar kontrolle, që nuk ka detyrë për të marrë masa, por që i bashkëngjitet trupës mësimore dhe të prindërve si  një figurë kujdestari për mbarëvajtjen e bashkëjetesës jashtë klasës dhe oborrin e shkollës”.

 

Vendosja e një oficeri sigurie në shkollat e mesme, sipas kreut të qeverisë, vjen si një eksperiencë pozitive nga vende të tjera. Policia e Shtetit do të ndërhyjë vetëm atëherë kur shfaqet nevoja e saj.

 

“E ka rritur ndjeshëm sigurinë në shkollë, komunikimin për të adresuar ato shfaqe shqetësuese për të cilat fola. Për të krijuar një bazë shumë të qartë të dhënash indikativë mbi problematikat. Mënyra se si program është organizuar do na çojë drejt pasjes, sipas volumit të shkollave, të një dy apo 3 oficerëve të policisë”.

 

Projekti i cili bazohet në bashkëpunimin mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Brendshme, do të nisë të zbatohet në 15 gjimnaze të ndryshme. Shtrirja në rang vendo do të ndodhë vetëm pasi të shihen rezultatet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *