Para se të ulej në tryezën e samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, rikthimi i konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë ishte pjesë e diskutimeve të takimeve që kryeministri Edi Rama zhvilloi me drejtues të lartë dhe liderë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

 

Në takimin me Ursula Von der Leyen, presidentjen e Komisionit Evropian, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, homologun holandez, Mark Rutte dhe presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç, Edi Rama kërkoi t’i jepet fund absurdit kërcënues dhe të shkohet drejt firmosjes së planit franko-gjerman nga Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç.

 

EDI RAMA

 

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Rajoni duhet të hyjë në një marrëdhënie të re me BE-në, ndërkohë që konflikti në Veriun e Kosovës duhet të zgjidhet krah për krah me botën demokratike, duke u dhënë fund absurdit kërcënues e duke finalizuar marrëveshjen e normalizimit dhe njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë.

 

Më herët, Edi Rama pati një bisedë edhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, ku pjesë e saj ishin edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut e presidentja e Greqisë. Në facebook-un e tij Vuçiç shkruan se ne në rajon e dimë mirë se sa i rëndësishëm është stabiliteti dhe paqja e fituar me mund, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës.

 

ALEKSANDER VUÇIÇ

 

PRESIDENT I SERBISE

 

Biseduam për ngjarjet aktuale dhe hapat e mëtejshëm që do të kontribuonin në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e vështirë dhe të rëndë, me shpresën se arsyeja do të mbizotërojë në të mirë të të gjithëve.

 

E paparashikuar në agjendë, situata në veri të Kosovës u kthye në një kryeçështje në diskutimet jo zyrtare të samitit të Komunitetit Politik Evropian që bën bashkë 47 kryeministra dhe presidentë të Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar, Turqisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *