Subscribe

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se në 12 maj do të jetë në Greqi për të takuar shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj. Në një postim në rrjetet sociale, lideri i mazhorancës Rama, ka ftuar të gjithë shqiptarët t’i bashkohen të dielën e ardhshme

“Me një kujtesë për ata ndër ju që janë në Greqi, se në 12 maj nisim nga Athina rrugëtimin e pranverës në diasporë, ku do të ishte kënaqësi e posaçme të takoheshim, ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë”, thotë ai.

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar pak ditë më parë se do të nisë një tur takimesh me shqiptarët që jetojnë në Greqi, Itali, Gjermani dhe Angli.

Por takimi më i diskutuar mbetet ai në vendin fqinj Greqinë, pasi prej vitit të kaluar marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara për shkak të arrestimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës Fredi Beleri i cili është dënuar nga gjykata e shkallës së parë për akuzën e blerjes së votave në zgjedhjet lokale që u zhvilluan në 14 maj të 2023.

Dy ditë më parë gazeta “Kathimerini” shkroi se ministria e jashtme greke i ka përcjellë njerëzve pranë kryeministrit mesazhin se Athina zyrtare do të preferonte që vizita e shefit të qeverisë shqiptare të shtyhej pas 9 qershorit, për shkak të fushatës për zgjedhjet për parlamentin europian.

Mediat greke lidhin edhe datën e vizitës së kryeministrit shqiptar, 12 majin me një vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit i cili tashmë është kandidati i Partisë “Demokracia e Re” për parlamentin europian.

Megjithatë pavarësisht lajmeve që qarkullojnë në mediat greke duket se tashmë është zyrtare që kryeministri Edi Rama të dielën e ardhshme do të jetë në Athinë për tu takuar me shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *