Subscribe

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me ndërtuesit, lidhur me shqetësimet që ata kanë adresuar në një letër zyrtare, mbi barrën e taksave si dhe me ndryshimin e çmimeve të referencës për Tiranën në mes të këtij viti.

 

Rama i ktheu përgjigje ankesës së tyre, duke thënë se rritja e referencave reflekton vlerën e pronës dhe se të ardhurat bashkia do t’i përdorë për investime.

 

NDERTUESIT

 

Ne nuk kemi kundërshtim me referencën, por pasojat që kjo na jep në taksën e ndikimit në infrastrukturë, në taksën 3% në të gjithë zinxhirin e taksave të bashkisë së Tiranës, e ka rritur sot taksën e ndërtimit në 40% të kostos së vet mesatarisht në Tiranë, – u shpreh Erjon Harizaj, kreu i Shoqatës së Ndërtuesve.

 

 EDI RAMA

 

Çfarë nuk kishit parashikuar ju, që shteti do t’ju thoshte që nuk mund të vazhdoni të deklaroni shitje shumë nën faktin? Këtë nuk kishit parashikuar ju? Ju kishit bërë një plan biznesi që do gënjenit shtetin pa mbarim dhe do shisnit apartamente me 2.000 euro dhe do t’i deklaroni të shitura me 850 euro? Në plan biznesi e keni ju dhe evazionin?

 

Një tjetër shqetësim i ndërtuesve është edhe taksa e strehimit social, ku 3 % e sipërfaqes i kalon bashkisë për të pastrehët, një taksë që rëndon vetëm këtë sektor.

 

NDERTUESIT

Deri në fund të vitit 2022 ndërtuesit në Tiranë ka paguar nga biznesi i vet rreth 100 milionë euro për të pastrehët. Ne mendojmë që kjo taksë, e cila ka qenë e përkohshme, duhet të shfuqizohet, nuk mund të jetë kjo taksë e pafund dhe nuk mund të mbulohet vetëm nga sektori i  ndërtimit, – u shpreh Harizaj.

 

 EDI RAMA

Ato janë sipërfaqe të cilat unë mendoj që Bashkia e Tiranës nuk duhet t’ju tolerojë që t’i jepni në vend tjetër, si fillim dhe ky është një diskutim që e kam bërë me Bashkinë e Tiranës. Ju duhet t’i jepni ato 3% aty ku ndërtoni, jo ndërto ti këtu dhe ma jep 3% në fund të botës se disa njerëz do jetojnë në qendër dhe janë ca të tjerë që do rrinë në fund të botës që të kenë afër delet, – sqaroi Rama.

 

Këto deklarata u bënë gjatë një takimi të kreut të qeverisë me komunitetin e biznesit, me fokus thjeshtimin e procedurave. Kryeministri paralajmëroi se do të vendosë referenca për hotelet, pasi pagesat e tyre nuk përputhem me çmimet që ato ofrojnë.

 

EDI RAMA

Edhe hotelet duhet të përgatiten, që vitin e ardhshëm do kenë referencë patjetër. Gjithë hotelet do kenë një çmim reference. Unë dua kaq, pastaj të tjerat merri, t’i gëzosh, po kaq ti do t’ia japësh shtetit, se nuk ka mundësi.

 

Ky propozim pritet të marrë formë në ditët në vijim. Qëllimi është që të formalizohet sektori, i cili edhe pse këtë vit ka njohur rritjen më të madhe të turistëve, duket se nuk është reflektuar me të njëjtin trend në të ardhurat në buxhet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *