Kryeministri Edi Rama ka ndarë një foto krah Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, për të cilin thotë se ishte në një mendje lidhur me lirimin e tre policëve të Kosovës.
Rama shkruan në reagimin e tij se të dyja palët duhet të kuptojnë se e vetmja formë për të shmangur përshkallëzimin është rikthimi tek dialogu.
Në të njëjtën kohë, ai thekson se Serbia dhe Kosova nuk mund të marrin peng rajonin.
“Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar!
Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush’, shkruan ai.
Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Bruksel, ku u prit nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Në fokus të bisedës mes tyre isshin tensionet në veri të Kosovës. Rama ka propozuar dhe një draft për asociacionin, për të cilin thekson se është vlerësuar edhe nga ndërkombëtarët.