Kryeministri Edi Rama ka bërë publike letrën zyrtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmes së cilës Shqipëria ftohet të përfshihet si shtet anëtar themelues në Bordin e Paqes për administrimin e Rripit të Gazës pas përfundimit të konfliktit.
Sipas përmbajtjes së letrës, kjo nismë është pjesë e një plani gjithëpërfshirës me 20 pika, të shpallur nga presidenti amerikan në shtator të vitit 2025, që synon vendosjen e paqes dhe krijimin e një administrate tranzitore në Gaza.
Lexo edhe :
Related Posts
“Është një nder i madh për mua t’ju ftoj ju, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, të më bashkoheni në një përpjekje Historike dhe Madhështore për forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrim një qasje të re plot guxim për zgjidhjen e Konfliktit Global! Më 29 shtator 2025, shpalla Planin Gjithëpërfshirës për fundin e konfliktit në Gaza, një plan veprimi me 20 pika, i mbështetur menjëherë nga të gjithë Udhëheqësit Botërorë, përfshirë edhe Krerët kryesorë në Botën Arabe, Izrael, dhe Europë. Në vijim të këtij Plani, më 17 Nëntor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë mbizotëruese Rezolutën 2803, duke mirëpritur dhe mbështetur këtë plan. Tani është koha që t’i kthejmë gjithë Ëndrrat në realitet. Bordi i Paqes është në zemër të këtij Plani dhe ky është Bordi më mbresëlënës dhe më me ndikim i krijuar ndonjëherë, i cili do të themelohet si një Organizatë e Re Ndërkombëtare dhe Administratë Qeverisëse Tranzitore”, thuhet në letrën e Trump.
Rama thekson e vendi do të angazhohet për të përmbushur me seriozitet rolin e tij në këtë proces ndërkombëtar.
“Me nderin e kënaqësinë e ndarjes me ju të letrës që mora dje nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, duke ju falënderuar për privilegjin e besimit që më keni dhënë, si edhe duke ju siguruar se do të bëj deri në fund gjithçka duhet për ta lartësuar emrin e Shqipërisë e dinjitetin e shqiptarëve, ju uroj të diel të qetë”, tha Rama.
Sipas letrës, çdo shtet anëtar në Bordin e Paqes për adminsitrimin e Gazës mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar në emër të tij për të marrë pjesë dhe kontribuar në takime. Trump nënvizon në letër se qëllimi është vendosja e përhershme e paqes botërore dhe mirëqenies.









