Për herë të tretë Edi Rama ka dalë para parlamentit për tu votëbesuar si kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë post-komuniste.

 

Vizioni i Edi Ramës për 4 vitet e ardhshme së pari synon ndërtimin e një marrëdhënie të re me partinë demokratike, me të cilën është përballur për herë të parë në séancë plenare pas dy vitesh bojkoti

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

“Dora jonë është e shtrirë drejt Partisë Demokratike. Kjo nuk është fjalë për të kaluar radhën, por është një vijë mendimi, të cilën ne do bëjmë gjithçka mundemi që ta bëjmë një vijë sjelljeje përgjatë këtij mandati sfidues për Shqipërinë.”

 

Lideri i mazhorancës Edi Rama ka shprehur vullnetin për diskutuar për kërkesat e PD për reforme territoriale, zgjedhore e kushtetuese;  por duke theksuar se shumica nuk i pranon ambasadoret si negociatorë.

 

“Asnjëherë dhe për asnjë arsye, unë dhe kjo shumicë qeverisëse nuk do pranojmë asnjëlloj ndërmjetësuesi të huaj për të zgjidhur problemet, ngërçet, krizat e brendshme politike apo institucionale.”

 

Nga foltorja e parlamentit përveç mesazheve për opozitën, shefi i qeverise artikuloi një paralajmërim të qartë edhe për partinë që drejton.

 

“As qeveria e asnjë nga ne të 74-ër të mandatuarit e Partisë Socialiste në këtë sallë nuk do përdorë as mikrofonin, as mandatin, as kartonin, për të mbrojtur këdoqoftë këtu apo jashtë kësaj salle, nga akuzat apo gjykimet e organeve të drejtësisë.”

 

Në këtë mandat  të tretë Edi Rama ka zgjedhur të shpallë dy prioritete;  betejën kundër koronavirusit  duke premtuar se vitin e ardhshëm do të këtë vaksina për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të vaksinohen dhe beteja për rindërtimin pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019.

 

 

“Viti 2022 duhet të mbyllë përgjithësisht tërësinë e të gjitha plagëve të tërmetit.”

 

 

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar para kuvendit se do të mbajë çdo premtim që beri në fushatë duke nisur nga rritja e pagave.

 

 

“Kjo shumicë qeverisëse, përgjatë këtij mandati do të rrisë: Pagat e edukatoreve, të mësuesve, të mjekëve, të infermierëve me 40%”

 

Në politikën e jashtme, kryeministri Edi Rama mbrojti nismën për Ballkanin e hapur, si pjesë e procesit të Berlinit.

 

“Ballkani i Hapur nuk është një lojë e Serbisë, nuk është as një konspiracion rus apo kinez, për të ringjallur Jugosllavinë. Siç nuk është asesi, një devijim nga rruga e anëtarësimit në Bashkimin Europian apo korniza e Procesit të Berlinit. Të gjitha këto janë përralla me gogol”

 

Shefi i qeverisë Rama ka pasur një apel edhe për homologun në Prishtinë Albin Kurtin

 

“Megjithatë, biem, s’biem dakord për Ballkanin e Hapur, ne duam, unë dua që me qeverinë e Kosovës, ne të bashkëpunojmë ngushtësisht, ta trajtojmë këtë mosdakordësi me respekt, me shumë respekt. Shqipërisë nuk mund t’i jepen leksione dhe vendimet sovrane të Shqipërisë nuk mundet të negociohen asgjëkundi”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *