Nga Elbasani, gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësuesit e biznesit, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi paketën e ‘Paqes Fiskale’, e cila do të shërbejë për të lehtësuar biznesin në lidhje me pagesat ndaj shtetit.
“Ne nuk duam të synojmë rritjen e të ardhurave duke ushtruar presion mbi sipërmarrjen, ndaj kemi menduar një plan që bazohet në një princip, plan paqeje fiskale. T’i japësh sipërmarrjes më shumë dëgjim dhe mirëkuptim, kjo është detyra,” tha Rama.
Detajet konkrete për mënyrën se si do të funksionojë kjo paketë i dha Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.
“Ka tre komponentë: tatimi i dakordësuar mbi fitimin, rishikimi i pasqyrave financiare, falja e detyrimeve apo kamatëvonesave. E para, marrëveshje që do t’i propozohet tatimpaguesit për tre vite, ku në bazë të historikut të fitimit neto të kompanisë, do të propozohet një masë tatimi mbi fitimin që do të tatohet në masën 15%. Bizneset që do të hyjnë në këtë marrëveshje do të përjashtohen nga çdo kontroll tatimor. Nëse do të deklarojnë një të ardhur më të madhe se ajo e dakordësuar me administratën tatimore, përfitimi shtesë do të tatohet me 5%. Komponenti i dytë: të gjitha bizneset që dorëzojnë një deklaratë, u jepet e drejta që të rishikojnë për 5 vite mbrapsht bilancet dhe duke paguar një tatim prej 5% për çdo diferencë që rishikohet. Komponenti i tretë lidhet me detyrimet dhe kamatëvonesat. Propozojmë që të fshijmë të gjitha borxhet, kamatëvonesat të bizneseve më të vjetra se 10 vjet,” u shpreh Delina Ibrahimaj, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Edi Rama tha se nuk do të ketë më inspektorë nëpër biznese, por kjo do të bëhet me inteligjencë artificiale.
/vizionplus.tv





