E hënë, 5 Tetor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Rama prezanton Abana Koçiun, kryeministri liston prioritetet e Ministrisë së Brendshme

Për herë të parë në histori, Ministria e Punëve të Brendshme do të drejtohet nga një grua. Albana Koçiu është prezantuar këtë të premte nga Kryeministri Edi Rama si ministrja e re në krye të kësaj ministrie që ka në varësi Policinë e Shtetit.

Rama prezantoi edhe pikat e programit të tij mandatit të katërt ku theksoi se ky moment historik do të kulmojë me zgjidhjen e disa problemeve që kanë ekzistuar prej vitesh, siç janë adresat.

Reklamë

“Ministria e Punëve të Brendshme nuk bën punë policore dhe ministri i Brendshëm nuk është kryepolici i vendit. Jo vetëm se ligji dhe praktika demokratike e thonë këtë, por mbi të gjitha për një serë nevojash të mëdha serioze të paadresuara prej dekadash ashtu si duhet, ndryshimi radikal i profilit të ministrit të Punëve të Brendshme është pikënisja logjike e ndryshimit përmbajtësor që ministrja Koçiu duhet të sjellë në qasjen e kësaj Ministrie. Sot e gjithë ditën 35 vjet transformime demografie dhe transformimi fizik i vendbanimeve të qyteteve tona, nuk e kemi ende një sistem funksional integral adresash”, tha Rama.

Duke u ndalur tek krimet e të miturve sidomos ato që shënohet brenda institucioneve arsimore, Rama tha se çdo shkollë do të ketë të instaluar kamera me sisteme regjistrimi. Ndërkohë edhe rrugët e vendit do të monitorohen me sisteme inteligjente.

“Siguria më e lartë në shkolla ku do t’i vendoset drejtorive të shkollave dhe prindërve sistemi i regjistrimit për veprimtaritë brenda shkollës dhe do jetë i aksesueshëm në çdo rast nga Policia e Shtetit.  Siguri më e lartë në mbrojtjen e territorit, plazheve, lumenjve, pyjeve përmes survejimit ajror me dronë dhe satelitorë, por na mungon edhe një komponent i fundit për ta bërë përfundimisht në kohë reale çdo cënim të territorit. Jo siç e kemi sot, që mund ta bëjmë në mënyrën periodike”, u shpreh Rama.

Në lupë Rama ka vendosur dhe Prefekturat të cilat i konsideroi si vende vetëm për të dhënë rroga.

“Institucione që e kanë humbur peshën, kanë humbur kuptimin. Na duhet një reformë për prefekturat, të cilën do t’a bashkëudhëheqin që në konceptim Ministrja e Brendshme me ministrin e shtetit për pushtetin Vendor. Duhet të dalin në përfundimin a na duhen prefekturat apo nuk na duhen fare. Dhe nëse na duhen prefekturat, çfarë forme duhet të ketë, si të bëhen vlerë e shtuar, dhe jo ca fole që shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme është afër 0-s”, deklaroi kryeministri.

Kreu i ekzekutivit vlerësoi punën e ish-ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha sidomos për ringritjen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Vazhdo të lexosh

Reklamë