Subscribe

Pas marrjes së mbështetjes një ditë më parë nga Presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani dhe Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian Federica Mogherini, kryeministri Rama shpreson një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim. Sipas tij, Shqipëria nuk kërkon favore e dhurata, por atë çka vërtetë meriton.

 

“Shpresojmë dhe besojmë që Komisioni të jetë i drejtë me Shqipërinë dhe të bëj një rekomandim të qartë dhe pastaj sigurisht mbetet beteja diplomatike për të bindur çdo vend anëtar dhe për të bërë çmos që problematika të ndryshme, brenda vendeve të mos kthehen në një arsye që të penalizohet Shqipëria”

 

Zbatimi i reformës në drejtësi përmes vettingut, ka qenë kushti kryesor i Brukselit. Shefi i ekzekutivit thotë se tashmë rezultatet kanë nisur të shihen.

 

 “17 pesha të rënda të sistemit janë tërhequr vetë, nuk kanë shkuar në procesin e vettingut. Dëgjesat, në dijeninë time, fillojnë këtë javë dhe të tjerë do të përballen me procesin e vettingut. Pra pastrimi i sistemit ka nisur”

 

Rama tha se natën e 17 majit, gjatë takimit me kreun e PD-së Lulzim Basha, ishte rëndë dakord për lobim në Bruksel për të fituar hapjen e negociatave, duhej bërë si nga mazhoraca ashtu edhe nga opozita. Për fat të keq, tha ai kjo nuk ka ndodhur.

 

“Opozita zgjedh dhe vendos atë që sheh më të arsyeshme. Populli sheh dhe gjykon, përfshirë dhe votuesit e opozitës, por dua të them që mungesa e opozitës në këtë proces apo disa deklarata të llojit “më ka çuar nana me la gojën”, janë vërtetë për të ardhur keq”

 

Në mes të prillit pritet që Komisioni Europian të publikojë raportin e progresit ku do të deklarohet nëse Shqipërisë do t’i ofrohet hapja e negociatave. Brukseli zyrtar ndërkohë ka lëshuar sinjale shumë pozitive për një vendimmarrje pozitive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *