Subscribe

Opozita akuzon kryeministrin Edi Rama se kërkon të deformojë rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës. Nënkryetari i PD-së drejtuar nga Sali Berisha, Oerd Bylykbashi i cili prej 2 dekadash ka qenë pjesë e çdo reforme zgjedhore sjell në vëmendje se realizimi i kësaj reforme me konsensus në një komision bipartizan u vendos për herë të parë në vitin 2002.

Asokohe – shpjegon Bylykbashi – OSBE-ODIHR e Këshilli i Europës pas zgjedhjeve problematike të vitit 2001 i kërkuan Fatos Nanos dhe Sali Berishës të nënshkruanin një marrëveshje për realizimin me konsensus të reformës elektorale, ku socialistët u angazhuan të mos përdornin shumicën e kartonëve në kuvend kundër vendimeve të komisionit bipartizan

“Termi bipartizan përtej aspektit qesharak të frazeologjisë së Edi Ramës, nuk ka të bëjë me partizanë dhe ballistët e Edi Ramës; ka të bëjë më faktin që politika ka dy palë, jo dy parti. Ky komision duhet të jetë me 50% mazhoranca, 50% opozita, pra përfaqësim i barabartë dhe me te drejtën për të ushtruar veto ose për të dhënë konsensusin e dy partive më të mëdha të mazhorancës dhe opozitës”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi shpjegon se ne dy dekada konsensusi ka bërë që partitë politike të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve

“Ajo që ka mundësuar konsensualiteti i reformës zgjedhore në këtë periudhë janë dy rotacione demokratike me zgjedhje, në vitin 2005 dhe 2013 sepse rregullat e përbashkëta me konsensus u kanë dhënë mundësi palëve që sado problem të kishte në zgjedhje, të prevalonte vota”, u shpreh ai.

Nënkryetari i demokratëve kujton transformimin e Edi Ramës duke sjellë në vëmendje se në vitin 2009 edhe vendimet e qeverisë që kishin lidhje me zgjedhjet duhet të ishin konsensuale

“Ajo që bie në sy është kontrasti i fortë mes Edi Ramës që në pushtet dhunon çdo hapësirë bashkëpunimi, konsensualiteti, darkordësie për rregullat e lojës, jo për rezultatin e lojës; me Edi Ramën që qaravitej në kancelaritë e Europës duke kërkuar reformë zgjedhore konsensuale”, tha Bylykbashi.

Sipas Bylykbashit qëllimi i retorikes së re të Edi Ramës është i qartë

“Qartazi Edi Rama kërkon të konsolidojë kapjen e zgjedhjeve tashmë jo vetëm nëpërmjet sistemit të patronazhimit por duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme edhe kornizën ligjore, përveç sistemit zgjedhor”, deklaroi ai.

Bylykbashi ka zbuluar se edhe faktori ndërkombëtar është i interesuar për një reformë konsensuale

“Edhe faktori ndërkombëtar po i  bën presion Edi Ramës dhe i kërkon që të ketë një reformë gjithëpërfshirëse që do të thotë konsensuale”, tha ish-deputeti.

Komisioni i reformës zgjedhore dhe ndryshimi i rregullave për zgjedhjet me konsensus është një prej arsyeve pse opozita po bllokon parlamentin prej 5 tetorit të vitit të kaluar e nëse kërkesat e saj nuk plotësohen tensioni në parlament mund të përshkallëzohet. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *