Rama: Plani ynë, vetëm hyrja në BE! Kryeministri në Madrid vlerëson arritjet në drejtësi dhe zhvillimin e turizmit
Kryeministri Edi Rama nga Madridi përsëriti se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë në vitin 2027, Kryeministri Rama theksoi se, pavarësisht debateve që mund të ekzistojnë në Evropë, për Shqipërinë nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE.
“Shpesh herë më duhet t’i përgjigjem pyetjes se ç’plan B ka Shqipëria? Duke qenë Bashkimi Evropian plani ynë A, dhe unë përgjigjem bindshëm, shumë bindshëm, se nuk ka plan B për ne, sepse të kemi një plan B përkundrejt Bashkimit Evropian, është të kemi plan B përkundrejt lirisë individuale, është të kesh një plan B përkundrejt shtetit të së drejtës, është të kesh një plan B përkundrejt demokracisë dhe në qoftë se ke një plan B përkundrejt këtyre të trijave, atëherë do të jesh i dënuar të jetosh në një shoqëri të kategorisë B, për shumë njerëz ku ka fitues dhe ku ka humbës, dhe ne nuk e duam këtë”, tha Rama.
Rama shpjegoi reformën në drejtësi e cila nisi në vitin 2016 dhe, sipas Kryeministrit, ka ndryshuar jo pak gjëra në Shqipëri.
“Kemi tashmë një gjyqësor që nuk është më në duar të politikës dhe na duhet të jemi dëshmitarë të kësaj gjëje, duke parë edhe njerëz nga partia jonë, nga shumica jonë, të japin llogari para drejtësisë”, shtoi kryeministri.
Nga Madridi, Edi Rama vlerësoi marrëdhëniet ekonomike mes Spanjës dhe vendit tonë, duke vënë në dukje se tashmë kompanitë më të njohura spanjolle kanë zgjedhur Shqipërinë për të investuar.
“Tashmë jemi të lumtur që shohim Melia-n e cila po lulëzon territorin tonë turistik. Janë nënshkruar më shumë se 20 kontrata, do të kemi shumë hotele Melia në Shqipëri, që është një ogur i mbarë, dhe shpresoj që do të kemi më shumë marka spanjolle dhe më shumë kompani spanjolle që do të vijnë tek ne, ndërkohë që ka gjithmonë e më tepër turistë spanjollë që vijnë”, përfundoi Rama. /vizionplus.tv




