E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Rama për gjyqtarët: Në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet një farsë e shëmtuar për rritje rrogash me gjyq

Ilustrim · Vizion Plus

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta ndaj procesit që po zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese.

Me anë të një postimi në X, Rama shprehet se seanca, e cila sipas tij fatkeqësisht nuk po transmetohet drejtpërdrejt për shkaqe teknike, është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh që synojnë rritjen e pagave të tyre përmes gjykimit, duke thyer piramidën shtetërore të pagave.

Sipas Kryeministrit, gjyqtarët janë tashmë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, falë mbështetjes që mazhoranca qeverisëse i ka dhënë pushtetit gjyqësor në kuadër të Reformës në Drejtësi. Rama thekson se kërkesa për t’u dhënë e drejta që në mënyrë automatike të rrisin pagat sa herë rriten pagat e tjera përbën një precedent të rrezikshëm.

Ai paralajmëron se një vendim i tillë do ta kthente Shqipërinë në të vetmin vend ku gjyqtarët do të paguheshin më shumë se çdo kategori tjetër, duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit për politikën e pagave.

Kryeministri shpreh vlerësim për SPAK-un, i cili sipas tij nuk iu bashkua kësaj nisme, duke e cilësuar këtë qëndrim si një akt përgjegjësie në emër të pavarësisë së gjyqësorit.

POSTIMI I RAMËS:

Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor! Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave, ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar! Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit.

/vizionplus.tv

Redaksia Web
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh