Rama për Bashën: S’është rrezik për drejtësinë, por manekin në duart e Saliut

Në prezantimin e kandidatëve për deputetë për qarkun e Fierit, kryeministri Edi Rama i quajti takimet elektorale të Bashës, “tufa të organizuara gjoja në mënyrë spontane”.
Për Ramën, lideri demokrat nuk është një rrezik për demokracinë, as për drejtësinë, por një manekin në duart e Sali Berishës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
“Nëse duan t’i zgjasin, t’i shtojnë, janë në të drejtën e tyre, me fitimet e tyre, por jo në kurriz të tjerëve dhe jo duke paguar detyrime ndaj shtetit më pak se të tjerët, është shume e qartë. Ajo që ofrohet nga Partia Demokratike është një përmbysje e plotë. Një përmbysje e plotë e këtij parimi, dhe një shkuarje komplet në një drejtim të kundërt me interesat e atyre që mblidhen për të shpërndarë Covid-in tek njëri-tjetri me dy gishta, dhe për të uruar karvanin e fitores. Të gjithë ata që janë aty, tufat e organizuara gjoja në mënyrë spontane, janë viktimat e para të pikërisht kësaj politike, në rast se do të presupozonim se Partia Demokratike do të merrte mandatin, për të qeverisur, pa llogaritur këtu që Lulzim Basha nuk është Lulzim Basha. Lulzim Basha nuk është një rrezik për demokracinë, padiskutim nuk është një rrezik për drejtësinë, por Lulzim Basha fatkeqësisht mishëron rrezikun që përfaqësojnë ata që e kanë Lulzim Bashën një manekin të buzëqeshur në duart e tyre, Saliun, Ilirin, Monikën.”




