Subscribe

Në mesin e të rinjve të Librazhdit, kryesocialisti Edi Rama akuzoi kundërshtarin e tij politik, kryedemokratin Lulzim Basha si njeriun i cili nuk mbajti asnjë premtim kur ishte kryebashkiak i Tiranës.

 

“Ne jemi përpara një zgjedhjeje që është shumë e qartë. Luli, kur konkurroi për kryetar Bashkie i Tiranës, bëri shumë premtime dhe dy ishin më fantastiket:  tramvaji i Tiranës dhe ulja e çmimit të bukës. Dmth arriti deri aty sa që premtoi uljen e çmimit të bukës, ashtu siç premtoi që do t’u hiqte të gjitha taksat të gjithë  qytetarëve të Tiranës. Pasi hyri siç hyri në Bashkinë e Tiranës, por kjo është histori tjetër, fjeti gjumë 4 vjet. Çfarë zgjedhjeje është kjo, midis një rrugë që po e hapim çdo ditë me shumë mund, me shumë sforco e shumë durim e ndërkohë që në mes të rrugës, papritur e pa kujtuar na janë futur dy mostra, tërmeti katastrofik dhe pandemia që gjunjëzoi botën dhe një rrugë e të cilës i dihet fundi.”

 

Reformat e propozuara në ekonomi të liderit të opozitës, që kërkon një mandat qeverisës, Edi Rama i përkufizoi si ëndrra me sy mbyllur.

“Pavarësisht se ne nuk jemi të rënë nga qielli, pavarësisht se mes nesh ka lloj-lloj njerëzish dhe si në çdo pyll nuk mungojnë as derrat, ne jemi ndryshe. Ne jemi këtu jo për të ikur, por për të vazhduar. Duke vazhduar në çdo hap për t’i bërë gjithmonë e më shumë shqiptarët, sidomos më të rinjtë, që ta gjejnë këtu të ardhmen e tyre. Për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë. Është shumë e bukur për ta thënë, është shumë e vështirë për ta bërë. Ne jemi për gjërat e vështira. Ne jemi për punët e vështira. Ne jemi për mos t’ia bërë rrafsh njerëzve më jep 1 e merr 2. Më jepni votën se unë do t’ju jap 1000 euro çdo muaj të gjithë atyre që kanë dyqan. Më jepni votën se unë do ju jap 5000 euro, do ju paguaj dhe kredinë e shtëpisë të gjithë juve kur të martoheni. Më jepni votën se unë do ju mbaj në shpi deri sa t’ju bëhet fëmija 6 vjeç. Më jepni votën se sapo të dilni në pension, unë do jua bëj pensionin më të madh se rrogën. Më jepni votën se pagën minimale do jua bëj maksimale dhe maksimalen unë do jua bëj stratosferike. Më jep 1 të jap 2 dhe në fund të 2 gishtat mu në sy që të mos mundësh ta marrësh veten me vite e vite të tëra.”

Po aq të gënjeshtërta i quajti edhe takimet elektorale të Lulzim Bashës.

“Dil nëpër Shqipëri me makina e bori, me flamuj e me dy gishta, bëj sikur takohesh spontanisht me njerëz që mezi po presin t’i shpëtosh e t’i mbash këtu në Shqipëri e pastaj ulu këmbë mbi këmbë e fillo tregoju të rinjve përralla me mbret.”

Takimet me qytetarët e Përrenjasit dhe të rinjtë e Librazhdit u prinë nga një inspektim Që kreu i qeverisë pati në xhaminë e Et’hem Beut, në Tiranë, rikonstruksioni i të cilës po shkon drejt fundit.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *