Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi një takim me studentë e pedagoge në qytetin e Vlorës për të premtuar se në vitin 2030 paga minimale do të jetë 650 euro. Lideri i mazhorancës shpjegoi me shifra punën e qeverisë socialiste në 12 vitet e fundit duke theksuar diferencën mes vitit 2013 kur PS mori drejtimin e vendit dhe sot.
“Jemi në 400 euro dhe praktikisht me 400 eurot jemi në vendin e tretë në rajon dhe në janar të vitit të ardhshëm do të shkojmë në 500 euro pagën minimale dhe projeksioni ynë për Shqipërinë 2030 është të mos ketë pagë minimale nën 650 euro.”
Kryeministri Edi Rama nga Vlora premtoi ndryshime edhe në sektorin e shëndetësisë.
“Në këtë 5-vjeçar, deri në mbyllje të kësaj dekade, t’i japim vendit një mundësi të re përsa i përket nivelit të shërbimit shëndetësor, duke zgjeruar kapacitetet tona për të bërë shërbime shëndetësore ekstra, domethënë, nga ato shërbime që nuk bëhen, jo thjesht në Shqipëri, por edhe në vende të tjera dhe që pastaj detyrohen njerëzit të shkojnë diku tjetër dhe, e para, kemi në plan të ndërtojmë dy apo tre partneritete që i kemi në diskutime për QSUT dhe me ambicien që ta bëjmë QSUT në 2030 një qendër ekselence të shëndetësisë së rajonit.”
Në Vlorë qeveria firmosi marrëveshjen mes kompanisë ushtarake shtetërore të Shqipërisë, KAYO, dhe një kompanie izraelite për themelimin e Akademisë së Aviacionit.
“Marrëveshja për krijimin e kësaj akademie është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm në funksion të mbështetjes së plotë të aviacionit civil, qoftë të forcave tona të armatosura me një kapital njerëzor të kualifikuar cilësisht për kohën që jetojmë.”
Gjatë këtij takimi u njoftua se më 8 maj, në Aeroportin e Vlorës do të kryhet testi i parë i uljes së avionit në pistën e gjatë prej 3.8 kilometrash.
/vizionplus.tv